Rinisja e shkollës, Stefa: Zgjatja e pushimeve nuk ishte zgjidhje efektive, MASH po bën eksperimente
Ekperti i arsimit Ardi Stefa në një intervistë për Ora News e ka cilësuar metodën e mësimit online dhe zgjatjen e pushimeve dimërore si të dështuar.
Sipas Stefës, Ministria e Arsimit po ndjek një skemë pa plan dhe të çuditshme për të bërë mësim, ndërkohë që ka shtuar se ky proces po zhvillohet pa kuptim.
“Këto ishin disa pushime dimërore që edhe mund të shmangeshin dhe të mos bëheshin aq të gjata. Ndoshta ishin të nevojshme apo të domosdoshme, por kishte mundësi qeveria që të merrte masa shumë herë më të mira që të mos ndodhnin fenomene të tilla kaq të zgjatura. Ky vit ashtu si i kaluari është një vit i hedhur dëm, i shkatërruar jo vetëm psikologjikisht, por edhe nga ana akademike. Është një vit i dështuar, sepse Ministria e Arsimit vendosi të ndërmerrte disa eksperimente pa plan, duke bërë mësim me një skenar të çuditshëm, dy ditë në shkollë dhe tre ditë në shtëpi. Tre ditë mësim fizik dhe tre ditë mësim në distancë. Të gjithë e dimë dhe jemi koshientë, edhe pse një pjesë e mësuesve nuk dëshirojnë ta shprehin, është një mësim i dështuar dhe po bëhet sa për të thënë. Kjo do të ketë impakt edhe për rezultatet e nxënësve në dije”, ka thënë Stefa.