Rishikimi i taksës progresive, pesha mbetet te individët që fitojnë më shumë
Skema e re e taksimit progresiv e prezantuar nga kryeministri Edi Rama rrit fashën e pagave që nuk taksohen deri në 40 mijë lekë, nga 30 mijë lekë aktualisht; ndërsa njëkohësisht zgjeron kufirin e taksimit maksimal 23% në pagat mbi 250 mijë lekë, nga 150 mijë lekë aktualisht.
Në praktikë kjo kthehet në kursim për të gjitha kategoritë e pagave, edhe pse shuma që kursehet varion. Për një pagë prej 40 mijë lekësh, që sot taksohet me 1,300 lekë taksa që socialistët synojnë ta vendosin në fuqi nga viti i ardhshëm bëhet zero.
Për një pagë prej 60 mijë lekësh, taksa bëhet 2,600 lekë nga 3,900 lekë; për një pagë prej 130 mijë lekësh, taksa zbret në 11,700 lekë, nga 13 mijë lekë. Ndërsa për një pagë prej 180 mijë lekësh, që përfiton edhe nga zgjerimi i fashës, taksa zbret në 18,200 lekë, nga 22,500 lekë.
Për ekspertin fiskal Eduart Gjokutaj, pavarësisht ndryshimeve, barra i mbetet sërish atyre individëve që kanë rroga më të larta. Sipas Gjokutaj, në prezantimin e programit për rritjen e pagës minimale dhe taksimin progresiv, socialistët duhet të kishin bërë edhe një llogari me efektin që pritet të ketë në punësim dhe në buxhetin e shtetit.