Ritmet e ngadalta të vaksinimit në Shqipëri, veç 20 mijë të imunizuar ku 111 mijë janë të prekur nga Covid-19
Sot (7 mars 2021) kryeministri Edi Rama, ndau me qytetarët ”hallin” që nuk e lë të fle as gjumë, e që është vaksinimi. Me të drejtë pasi në Shqipëri ky proces po ecën me ritme të ngadalta. Deri tani vendi ynë ka siguruar vetëm 32 mijë doza Pfizer, të pamjaftueshme për të mbuluar të gjithë personelin mjekësor në vend dhe kategorinë e të moshuarve mbi 80-vjeç, ku vetëm këta të fundit janë rreth 82 mijë në të gjithë vendin.
Kryeministri premton se para dhe pas zgjedhjeve do të vijnë sasi të konsiderueshme vaksinash, aq sa do të ndikojnë edhe ecurinë e sezonit turistik. Sa doza pritet të vijnë në muajt mars, prill nga Pfizer dhe Covax, ku ky i fundit deri tani nuk ka asnjë sjellë vaksinë pavarësisht parapagimit 3.9 milionë dollarë që ka bërë Shqipëria.
”Presim në mars dhe në prill mbi 30 mijë doza të Pfizer si dhe presim dhe sasinë e parë nga marrëveshja me Covax me rreth 14 mijë e 400 doza”, thotë specialistja e ISHP-së Iria Preza. Mjeku Pëllumb Pipero ka deklaruar se virusi këtë periudhë është më agresiv dhe nuk po njeh moshë.
”Agresiviteti i këtij virusi është shtuar sepse po shohim raste me pak ditë klinike, me 3-4 ditë shqetësime, dhe me prekje shumë të gjerë të mushkërive. Kjo prekje ka avancuar në mënyrë të heshtur”. Në 1 vit pandemi janë infektuar mbi 111 mijë qytetarë, 35 mijë vijojnë të jenë aktivë, ndërsa kanë humbur jetën më shumë se 1900 persona.