Rivaliteti i heshtur/ Rrëfehet Sadije Agolli: E vërteta e ftohjes së Dritëroit me Kadarenë
Edhe pse në mënyrë të heshtur, gjithnjë është folur për një lloj “rivaliteti” të heshtur mes dy shkrimtarëve të mëdhenj, Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli. Madje, viteve të fundit është folur edhe për një ftohje të marrëdhënieve mes tyre, deri në moskomunikim.
Në një intervistë të gjatë, dhënë për gazetaren Eni Vasili (e botuar ekskluzivisht në portalin hapur.al dhe gazeten Panorama), që gjithsesi ishte e pamundur të ezauronte një jetë të tërë në krah të bashkëshortit, Sadije Agolli, ndër të tjera, ka rrëfyer edhe marrëdhëniet me çiftin Kadare. Bashkëshortja e shkrimtarit të ndjerë, Dritëro Agollit, shprehet se mes dy familjeve marrëdhëniet kanë qenë gjithnjë shumë të mira dhe se nuk është e vërtetë që raportet mes tyre kanë qenë ftohur.
“Ti Eni thua se ishit komshinj me Kadaretë dhe çfarë marrëdhëniesh kemi pasur? Shumë të mira, jo vetëm kur ishim komshinj në pallatin e Rrugës së Dibrës, por edhe kur ishim të ndarë nga shtëpitë. Nuk ishin këto vizita te njëri-tjetri vetëm me raste festash a ditëlindjesh, pra, zyrtare, por edhe me rast e pa rast. Uleshim ne në apartamentin e Elenës dhe Ismailit një kat më poshtë dhe ngjiteshin ata te ne, pa lajmërime ditësh apo orësh. Ftohja pas viteve ’80 nuk është e vërtetë. Kemi pasur gjithnjë miqësi dhe shoqëri të mirë”- thote Sadije Agolli.
Ajo, rrëfen edhe netët e kaluara në shoqërinë e njëri-tjetrit, në kohët e njohjes me Dritëroin, bisedat dhe fqinjërinë e mirë, deri në largimin e Kadaresë nga Shqipëria, që siç tregon ajo, rrugën deri në Rinas e ka bërë, pikërisht me makinën e Dritëroit.