Rivarrimi i Isa Boletinit në Vlorë, tërhiqet Këshilli Organizativ

Këshilli Organizativ për ceremoninë e rivarrosjes së heroit legjendar të kombit Isa Boletini pezulloi përkohësisht aktivitetet për shkak të ndryshimit të vendit të rivarrosjes së tij.

Këshilli Organizativ duhet të mblidhej të martën për të finalizuar detajet e organizimit të ceremonisë për rivarrimin e eshtrave të Boletinit në qytetin e Vlorës, ashtu siç është marrë vendim javën e kaluar.

Por, tërheqja e familjarëve të heroit nga vendimi për rivarrosjen e tij në qytetin bregdetar, si dhe kërkesa e Komunës së Mitrovicës për qeverinë që të tërhiqet nga vendimi, ka bërë që Këshilli të mos mblidhet këtë të martë.

Zëdhënësi i Këshillit Organizativ, Ibrahim Shala ka treguar se situata e re e krijuar pas qëndrimit të fundit të familjes Boletini ka bërë që Këshilli Organizativ të presë udhëzime të reja nga qeveria, për të vendosur se çfarë duhet bërë në këtë rast.

Shala tha se Këshilli organizativ është i formuar nga qeveria e Kosovës dhe veprimet e tij do të ndërmerren në vartësi prej udhëzimeve që duhet t’i japë ekzekutivi. Kjo e fundit do të konsultohet me qeverinë e Shqipërisë mbi përgatitjet për ceremoninë.

Qeveria e Kosovës deri tani nuk ka dalë me një qëndrimin final nëse do të përfillë kërkesën e Komunës së Mitrovicës dhe familjarëve të heroit Isa Boletini, që eshtrat e tij të rivarrosen në fshatin Boletin, në veri të Mitrovicës. Mësohet se aktualisht eshtrat e heroit i zotëron familja e tij.

SHKARKO APP