Rivlerësimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve, KSHH kritika: Të merren në konsideratë 3 kriteret, jo vetëm i pasurisë
Organet e vettingut në drejtësi duhet që vendimin për shkarkimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve të japin bazuar në 3 kriteret e rivlerësimit dhe jo vetëm tek kriteri i pasurisë. Komiteti Shqiptar i Helsinkit pas një monitorimi disa mujor të seancave rekomandon që të merren për bazë denoncimet e publikut, analiza financiare të jetë më e thelluar për subjektet dhe me standard të njëjtë për gjithë prokurorët e gjyqtarët.
Kriteri i pasurisë për shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve është i pamjaftueshëm, ndaj duhet që organet e vettingut në drejtësi të zgjerojnë hetimet ndaj subjekteve që kalojnë në filtër.
Ky përfundim është arritur nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, pas një monitorimi 9 mujor të procesit.
Ardita Kolmarku, juriste pranë Komitetit, shprehet për Ora Neës se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit duhet të marrë në konsideratë të 3 kriteret, dhe trupa gjyqësore të jetë e unifikuar para vendimmarrjes.
Kolmarku: Sa i përket kriterit të pasurisë edhe në raportet e mëparshme Komiteti Shqiptar i Helsinkit por edhe në raportin aktual vazhdon të mbajë qëndrimin që veprimtaria e organeve të vlerësimit kalimtar duhet të shtrihet në të tri kriteret.
90% e njerëzve të drejtësisë janë shkarkuar për shkak të mosdeklarim të pasurisë, fshehjes apo mungesës dhe justifikimit me burime të ligjshme të të ardhurave.
Juristja Kolmarku thotë se nuk është respektuar i njëjti standard për gjithë gjyqtarët e prokurorët, ndaj duhet të ketë një analizë më të thelluar financiare.
Kolmarku: Kjo metodologji le të sjellë një unifikim të praktikave, të mos kemi analiza të ndryshme financiare pasi siç kemi parë te kriteri i vlerësimit kemi analiza të ndryshme sa i takon deklaratave vjetore dhe deklaratave vetting.
Nga KSHH rekomandohet shtimi i numrit të seancave përmes zhvillimit të gjykimeve paralele, pasi rrezikohet që procesi të mos përfundojë në kohën e përcaktuar.
Kolmarku: Ne mendojmë që do të ketë vonesa dhe do të jetë e pamundur përmbushja brenda një kohe të shkurtër.
Ndonëse nuk ka asnjë ndjekje penale për gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar, sipas juristes, ka një rritje të numrit të denoncimeve nga publiku ndaj organet e vettingut duhet ti marrin më shumë në konsideratë.
Deri më tani janë shkarkuar rreth 100 gjyqtarë e prokurorë nga procesi i vettingut.