Roland Gjergji: Jam i befasuar nga suksesi i këngës, “Dashnia”

Intervistoi: Albina Gjergji

 

Nëse një këngë bëhet e dashur për publikun që në dëgjimin e parë, me siguri jo vetëm muzika, por teksi mbi të gjitha ka meritat kryesore. Kështu mendon edhe këngëtari simpatik i muzikës popullore, Roland Gjergji, i cili teksa na flet për lidhjen e tij me këtë zhanër thekson që elementi më i rëndësishëm i një kënge është teksti.

I lidhur fort me muzikën, Gjergji këndon që në vegjëli, që në kohën kur babai i tij (po ashtu këngëtar) artistikisht i ushqente me tinguj muzikorë bashkë me të motrën, këngëtaren e njohur, Gentjana Gjergji.

Në bisedën e mëposhtme që patëm me të, Rolandi na flet gjithashtu edhe për këngën e re që sapo ka hedhur në treg. Ajo titullohet “Dashnia” dhe deri tani është pritur mjaft mirë nga publiku.

 

Shumë vite që merreni me muzikë, mund të na flisni pak për veten tuaj Landi. Si ka lindur tek ju pasioni për zhanrin e muzikës popullore?

Krejt natyrshëm. Në përgjithësi me pëlqejnë gjithë zhanret muzikorë dhe as në rastin konkret nuk mund të mbetej mbrapa muzika popullore, të cilën e ushtroj prej disa vitesh.

Sapo keni prezantuar këngën më të re, të titulluar, “Dashnia”. Si është pritur në publik deri tani?

Është pritur shumë mirë dhe publiku është befasuar jashtë mase nga kënga ime “Dashnia”. Kjo gjë më motivon edhe më shumë për të sjellë të tjera këngë në tregun muzikor.

Çfarë mendoni se e bën të veçantë këtë këngë nga shumë të tjerat në tregun muzikor?

Besoj se të gjithë komponentët në tërësi i japin veçanti këngës sime, duke filluar nga teksti, muzika, videoklipi, apo menyra e të kënduarit nga ana ime.

Bashkëpunëtorët e këngës, si lindi idea të punosh me ta?

Bashkëpunëtoret e këngës janë Valon Bibaj, i cili ka bërë tekstin dhe muzikën, Emiljano Lekaj me saksofon dhe orkestrimi nga Valdrin Abazi. Bashkëpunimi ka lindur nga shumë projekte të këndshme që ka realizuar ndër vite skuadra e “VDSOUNDS” në Pejë.

Në opinionin tuaj, sa i rëndësishëm është teksti i një kënge për t’u bërë e suksesshme në treg Roland?

Unë besoj se teksti është elementi kryesor tek çdo këngë, pasi aty fillon gjithçka dhe siç thonë se, fillimi mbarë është gjysma e punës edhe në rastin tim kështu besoj se është.

Profesionalisht si do ta cilësonit këtë vit, duke marrë parasysh pandeminë dhe faktin që jeta ka qene disi e kufizuar edhe në veprimtaritë artistike?

Po sigurisht, ashtu si për të gjithë edhe për mua ky është një vit i pazakontë, por që po mundohem ta shfrytëzoj në mënyrën me të mirë të mundshme, duke investuar në muzikë që mbetet edhe pasioni im më i madh.

Keni vazhduar me koncerte gjatë kësaj kohe?

Jo, pasi të gjitha koncertet e kalendarit artistik i kemi pasur jashtë Shqipërisë dhe janë anuluar për shkak të situatës së krijuar, pra të pandemisë së Covid-19.

Roland, familja juaj shquhet për talent në muzikë, duke qenë se edhe motra, dhe babai juaj këndojnë? Mund të na thoni, sa ndikim kanë patur ata në formimin tuaj artistik?

Do thoja që babai dhe motra janë A dhe B për mua në formimin tim artistik, pasi kam mësuar shumë prej tyre dhe janë mbështetja ime kryesore në rrugen e artit.

Keni në plan ndonjë këngë të re, duet me motrën, apo me babain?

Dëshira nuk mungon dhe është gjithmonë prezente tek unë, por do ia lëmë kohës çdo gjë, përfshirë edhe bashkëpunimet.

Për ta mbyllur këtë intervistë, do të donim të dinim ambiciet e së ardhmes. Artistikisht, ku dhe si e shihni veten pas disa vitesh?

Po punoj dhe po investoj që të shkoj sa më lart. Se sa do ia arrrij besoj se do ta zbulojë koha, pasi kjo e fundit, pra koha mbetet aleatja ime më e mirë.

 

SHKARKO APP