Roli i KQZ-së në zgjedhje, Gerta Meta: Mos të merret me “hënat” e partive
Gerta Meta nga Shoqatapër Kulturë Demokratike, është njohëse e mirë e proceseve zgjedhore. Sipas saj, dëshira është e madhe për të kuptuar çfarë risie do të sjellin të re zgjedhjet.
”Data e 6 marsit vjen pas një periudhe relaksi, jo vetëm për partitë por edhe për institucionet, nga momenti që dolëm nga zgjedhjet e 25 prillit. Zgjedhjet duhet të jenë model, 6 apo 60 bashki qofshin, duhet të mbledhin forcat për të treguar që përgjegjshmëria është maksimale”, tha në A2 CNN.
Zgjedhjet po afrojnë, por sipas saj KQZ nuk do ta ketë problem afatin e ngushtë kohor. ”Në këto afate, edhe pse të sforcuara për hir të situatës emergjente, do të doja që KQZ të mos merrej shumë me hënat e partive politike. Do të doja mos t’i lente kohë pafund këtyre partive. E kam diskutuar me zotin Celibashi, dhe kuptoj dëshirën e mirë që procesi të jetë me aktorë të barabartë, por kemi parë që duke pasur një mungesë të përgjegjësisë politike, mos t’i mundësojmë këtyre subjekteve këtë tip komoditeti, që mban peng të gjithë procesin”.