Rrëfehet biznesmeni që i shpëtoi atentatit në Shijak/ Shtova shpejtësinë dhe…
Në orët e drekës të ditës së djeshme në Shijak u bë një atentat me kallashnikov ndaj biznesmenit Dashamit Gjoka. Ky i fundit, kur u qëllua me breshëri, ka qenë duke udhëtuar me makinë të blinduar së bashku me familjen e tij.
Në momentin e atentatit, Gjoka nuk ka ndaluar, por ka shtuar shpejtësinë dhe më pas ka shkuar në komisariat për të bërë denoncimin.
Ai ka deklaruar se u qëllua nga një automjet që ecte paralelisht me të, teksa ishte duke udhëtuar në drejtim të Shijakut, shkruan gazeta Shqiptare.
Biznesmeni ka thënë se nuk ka dalluar dot se kush e ka qëlluar me armë zjarri. Policia gjatë ditës së sotme bëri të mundur edhe identifikimin e dy aurorëve, ndërsa deri tani dyshohet se atentati lidhet me të shkuarën e Gjokës në Itali.
Ai ka qenë dënuar me 10 vjet dhe 6 muaj burg për veprat penale “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Trafikim i personave”.
Ndërsa, në shtator të vitit 2015, me kërkesë të prokurorisë, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi në sekuestro 11 mijë metra katrorë truall, ndërtime e biznese, si dhe 15 mijë metra katrorë tokë arë, pasi dyshohej se Gjoka i kishte krijuar nga aktivitet i paligjshëm jashtë vendit.

