Rrëfimi horror i nënës që mbyti foshnjën

Orjola Lleshi: Foshnjën e mbyta me batanije, nuk doja të ndahesha nga burri, por ngela shtatzënë pasi më përdhunoi fqinji. ADN-ja provon se fëmija ishte nga një lidhje jashtëmartesore. Ekspertët: 29-vjeçarja nuk ka vuajtur nga ndonjë sëmundje psikike apo neuropsikike

 

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar dënimin me 35 vjet burg për shtetasen Orjola Lleshi nga Librazhdi, e akuzuar për mbytjen e foshnjës dymuajshe, të cilën e kishte nga një lidhje jashtëmartesore.

Në një seancë me dyer të mbyllura, prokurori kërkoi që 29-vjeçarja të shpallej fajtore për akuzën e “vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare”, krim ky i pranuar nga e pandehura, e cila ka rrëfyer gjithçka ka ndodhur mëngjesin e 29 prillit të këtij viti në banesën e saj në fshatin Kuterman.

Nga hetimi ka rezultuar se e pandehura e ka kryer krimin për shkak të mosmarrëveshjeve me bashkëshortin dhe prindërit e bashkëshortit, pas dyshimeve për atësinë e fëmijës. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se e pandehura është e përgjegjshme dhe nuk ka vuajtur dhe as nuk vuan nga probleme të shëndetit mendor.

Për këtë ngjarje policia ka marrë dëshminë e vjehrrit të së pandehurës, shtetasi H. Lleshi, i cili ka deklaruar se nusja e djalit të tij, Orjola Lleshi ka ikur në Greqi në qershor të vitit 2013 tek bashkëshorti dhe ka ardhur në muajin shkurt. Kur ka ardhur, kanë vënë re që Orjola ishte shtatzënë. Më datë 5 mars, Orjola ka lindur fëmijën në spital.

“Rreth një muaj më pas më ka marrë në telefon djali nga Greqia dhe më ka thënë që kishte probleme me nusen e tij, sepse ai dyshonte se ajo nuk e kishte me të fëmijën dhe i kishte thënë që ta merrte dhe ta dërgonte në shtëpinë e saj. Të nesërmen, Orjola ka ikur në shtëpinë e saj dhe më pas ka ardhur pas dy ditësh. Ajo i ka thënë disa herë vjehrrës se do të pinte helm, do të vriste veten”, – ka dëshmuar vjehrri i së pandehurës.

Sipas dëshmisë së tij, nusja e djalit i ka treguar se fëmijën e kishte me dikë tjetër, i cili e kishte përdhunuar dhe ajo nga frika nuk kishte treguar. Më pas policia ka pyetur personin që dyshohej si babai i fëmijës, i cili ka treguar se kishte njohje prej rreth një viti me shtetasen Orjola Lleshi.

Ata janë njohur pas kthimit të tij nga Greqia, pasi ishte fqinj me bashkëshortin e Orjolës dhe fillimisht janë përshëndetur dhe më pas kanë shkëmbyer numrat e telefonit me dëshirën e saj.

“Në një rast kur kemi biseduar, ne kemi shkëmbyer numrat e telefonit, me kërkesën e saj, dhe pas kësaj dite kemi komunikuar në telefon. Dua të them se Orjola më ka shkruar disa mesazhe, të cilat unë nuk i kam të ruajtura. Pas njëfarë kohe unë kam patur një lidhje dashurie me Orjolën dhe kjo me dëshirën e saj. Mbaj mend rreth muajit qershor, unë kam kryer marrëdhënie seksuale me Orjolën, diku jashtë në natyrë, larg shtëpive tona, ku ne kemi disa parcela tokash atje. Po kështu, gjatë kësaj periudhe unë kam kryer marrëdhënie me Orjolën edhe dy herë të tjera, po në të njëjtin vend. Theksoj, gjithmonë me dëshirën e saj, pa ushtruar dhunë dhe asnjë lloj presioni ndaj saj. Lidhja jonë ka zgjatur rreth një muaj. Më pas Orjola ka ikur në Greqi tek bashkëshorti i saj dhe unë nuk kam kontaktuar më me atë dhe nuk e kam takuar më”, – ka deklaruar babai i fëmijës.

Ndërsa e pandehura ka treguar për policinë në prani edhe të një psikologeje se pas lindjes së fëmijës ai ka patur debate me vjehrrin dhe vjehrrën, pasi iu kishte thënë se djalin e dytë nuk e kishte më bashkëshortin.

“Unë i kam shpjeguar se djalin e dytë e kam me shtetasin i cili është me banim në zonën tonë. Ai më ka kapur me zor mua në datë 05.06.2013 në kohën kur unë isha duke punuar tokën. Duke parë që vjehrra dhe vjehrri im debatonin për shkakun e fëmijës dhe unë nuk doja të ndahesha nga burri .. ditën e sotme, në orët e para të mëngjesit unë e kam mbytur fëmijën”, ka treguar e pandehura.

Pas ngjarjes prokuroria ka urdhëruar kryerjen e ekspertimit psikiatriko-ligjor, nga i cili rezulton se e pandehura nuk ka vuajtur nga ndonjë sëmundje psikike apo neuropsikike.

Ndërsa ekspertimi i ADN-së tregon se babai i fëmijës është personi, për të cilin e pandehura thotë se e ka përdhunuar, por nga hetimet rezulton se ajo ka patur lidhje dhe marrëdhënie me dëshirën e saj.

SHKARKO APP