Rrëfimi i babait të motrave Kajtazi

 

Hiqmet Kajtazi, në një intervistë për median shprehet se ndihet më i qetë, por nuk arrin ta besojë faktin që vajzat kanë vepruar të vetme.

Hiqmet, si e morët vesh lajmin për gjetjen e Orialdës dhe Klevisës?

Pikë së pari jemi shumë të lumtur që ato u gjendën shëndosh e mirë. Po vuanim shumë, sepse nuk kishim asnjë informacion dhe ku nuk na shkonte mendja, pasi dy të miturat ndodheshin vetëm në këtë botë të egër. Nga policia e mora vesh lajmin, më tha njëri prej hetuesve që ndiqte çështjen.

Si pritet të jetë raporti mes jush dhe vajzave tani që ato u gjetën?  

Pavarësisht veprimeve të pahijshme që kanë kryer, ato ngelen vajzat tona. Ne do vazhdojmë të kujdesemi për to. Nëse do të zgjidhet puna e akuzave të ngritura nga policia, ato janë të mirëpritura në shtëpi dhe do përpiqemi t’i ndjekim me anë të ndonjë psikologu. Vajzat kanë deklaruar se të gjitha i kanë bërë vetë, në formë hakmarrje.

Pse duhet të marrin hak vajzat tek ju, për çfarë e kanë fjalën?

Ky fakt më befasoi shumë. U zhgënjeva, sepse nuk mendoja se ato do të kishin vepruar me dëshirën e tyre, duke bërë vepra kaq shumë të rënda. Nuk di të kem ndonjë borxh pa larë tek vajzat e vogla. Unë jam sjell shumë normalisht me të tre fëmijët. por për të gjithë anëtarët kjo familje ka disa rregulla.

Vajzat kishin deklaruar se nuk i linit të dilnin sikurse bashkëmoshataret e tyre….

Të jeni të bindur se nuk i kam ndrydhur kurrë dhe nuk kam ushtruar presion mbi to. Gjithmonë që më kanë kërkuar të dalin me shoqërinë, nën shoqërinë e mësuesve, i kam lejuar. Kanë dalë gjithashtu edhe me motrën e madhe, nënën e tyre. Nuk kanë qenë të izoluara. Në qoftë se vajza nuk do të trajtohej mirë, vajza nuk kishte pse të largohej por mund të merrte në telefon policinë.

Ndoshta Orialda mund të ketë pasur ndonjë hatërmbetje me ju, në lidhje me ndarjen e saj nga i fejuari?

Këto janë gjërat e moshës së tyre dhe ndoshta prej dështimit të një fejese që ka pasur ajo, mund t’i ketë shkaktuar depresion. Orialda donte edhe vetë të ndahej nga i fejuari, ndaj nuk mendoj se mund t’i këtë ngelur hatëri. Të jem i sinqertë, nuk di akoma se përse kanë vepruar kështu dy vajzat e mia

SHKARKO APP