Rrëfimi i Endrit që doli nga kampi Al-Hawl: Motra ime Eva, ka frikë të kthehej
Mide Dumani kishte 6 vite që e priste momentin të përqafonte të birin Endrin të cilin bashkëshorti Shkëlzen Dumani e mori dhe e çoi në Siri bashkë me motrën e tij Evën në shkurt të vitit 2014. Endri ishte totalisht i mpirë, pa fjalë në këtë ritakim për të cilin po flitet dhe po komentohet shumë . Përgjigja më e mirë për të kuptuar këtë moment janë fjalët e pakta të Endrit, por që tregojnë shumë. Ai foli për gazetarin e Top Channel Muhamed Veliu, tek sa ishte nisur nga Bejruti për në Tiranë, ku e priste nëna dhe daja Xhetan Ndregjoni që nuk u lodh kurrë për ta kthyer në shtëpi. Endri sot 13 vjeç shpëtoi nga kampi i ferrit Al Hol. Por mundësinë e riatdhesimit nuk e shfrytëzoi e motra, Eva.
Muhamed Veliu: Endri ne po shkojmë për në Shqipëri. A e mendoje që një ditë do të largoheshe nga kampi dhe do të riktheheshe tek nëna në shtëpi?
Endri Dumani: Po e dija.
Muhamed Veliu: Kush ta kishte thënë që do shkoje në Shqipëri?
Endri Dumani: Kemi pas fol më parë me dajën tonë Xhetan. Kemi pas fol përpara.
Muhamed Veliu: Kur ishe në Al Hol me çfarë merreshe, me çfarë luaje?
Endri Dumani: Luaja top me shokët ose ndonjë gjë.
Muhamed Veliu: Si ishin kushtet, si ishte ushqimi?
Endri Dumani: Ushqimi krejt mirë. Gjojna të mira. Veçse çadra aty fuste ujin përditë.
Muhamed Veliu: Kush kujdesej për ty, gjyshja me motrën?
Endri Dumani: Po.
Muhamed Veliu: Kur e ke takuar Evën motrën për herë të fundit?
Endri Dumani: Përpara se të na merrnin.
Muhamed Veliu: Çfarë të tha Eva?
Endri Dumani: Vetëm më takoi më uroi.
Muhamed Veliu: Përse Eva nuk deshi të vinte?
Endri Dumani: Nuk e di. Kishte frikë.
Muhamed Veliu: Frikë që të vinte në Shqipëri nga kush e kishte frikën?
Endri Dumani: Nuk e di nga kush.
Muhamed Veliu: Ku është Eva tani në Al Hol?
Endri Dumani: Po në Al Hol.
Muhamed Veliu: Me kë po rri Eva atje?
Endri Dumani: Me ato gratë shqiptare që njeh.
Muhamed Veliu: Po Evës kur të flasësh në telefon a do tja mbushës mendjen të vijë në Shqipëri?
Endri Dumani: Them që po.
I bëjmë Endrit disa pyetje për të kuptuar se çfarë ndikimi ka patur tek ai babai, Shkëlzen Dumani i vrarë në Siri më 5 Nëntor 2014.
Muhamed Veliu: Po babi çfarë të thoshte për luftën?
Endri Dumani: Nuk më thoshte gjë se vetëm vinte dhe ikte.
Muhamed Veliu: Kush ta tha lajmin që babi u vra në luftë?
Endri Dumani: Burri Muveltizes. Lavdrimi ai shqiptari.
Muhamed Veliu: Çfarë ju tha?
Endri Dumani: Tha që ka ndërruar jetë mos u mërzisni.
Muhamed Veliu: Tek varri babit ke qenë?
Endri Dumani: Jo.
Si çdo fëmijë Endrit nuk i mungojnë dëshirat paçka se jo për faj të tij fëmijëria ju kthye në vuajtje.
Muhamed Veliu: Çfarë do që të bësh në Shqipëri a do të shkosh në shkollë.
Endri Dumani: Nuk e di. Ehë…
Muhamed Veliu: Ke qejf të shkosh në shkollë?
Endri Dumani: Po kam.