Rrëfimi i Sokol Ballës: Polici i diktaturës tentoi të griste autografin që i mora Bekenbauerit

70 vjet më parë Shqipëria do të futej në një fushë futbolli për herë të parë me kombëtaren e saj kuq e zi. Një rrugëtim që shënoi kulmin këtë vit në Qershor kur për herë të parë u kualifikua në Kampionatin Europian me një ekip që bënte bashkë shqiptarë nga të gjitha trevat shqiptare.

Në këtë përvjetor gazetari Sokol Balla ka vendosur të vijë për lexuesit me një libër kushtuar Kombëtares Shqiptare të Futbollit. Libri “Loja që ndryshoi Shqipërinë” botuar nga UET-Press promovohet nesër në orën 13.00 në Hotel Plaza.

Libri është një reflektim për ecurinë, uljet dhe ngritjet e futbollit shqiptar, në këto 7 dekada që nga koha e komunizmit dhe në këto vite tranzicion.

Gazetari Balla rrëfen marrëdhëniebn e tij me futbollin dhe kombëtaren duke sjellë në këtë libër një rrëfim personal kur shoqëronte që fëmijë babain e tij në shkallët e stadiumit Qemal Stafa, momentin kur guxoi t’i merrte autograf Franz Beckenbauer-it të madh pas një ndeshje në Qemal Stafa.

“Ky libër botohet në 70 vjetorin e ndeshjes së parë ndërkombëtare të futbollit të kuqezinjve, në shenjë modeste mirënjohjeje dhe falënderimi për gjithë ata që kontribuuan në një vit historik, kur pjesëmarrja e Kombëtares në finalen e Kampionatit Europian na bëri të gjithëve të ndiheshim të barabartë, për dhjetë ditë, me të gjithë vendet e kontinentit” shkruan në hyrje të librit autori.

Ndërsa si pasthënie ai ka zgjedhur pikërisht momentin kur ai akoma një fëmjë takon idhullin e tij gjerman.

sokol-balla2“Kisha qenë në ndeshjet e Kombëtares dhe të “17 Nëntorit” për vite të tëra rresht. Shtëpia ime e dytë ishte stadiumi “Qemal Stafa”. Por për herë të fundit kisha qenë aty më shtator 1990. Dy herë. “Dinamo” kampione ndeshej me kampionët e “Olympic Marseilles”. Nuk di se si gjeta mënyrën të çaja kordonin policor për të hyrë në fushë. Deri aty ku trajneri i francezëve po testonte fushën, i shoqëruar nga një gazetar i “Sporti Popullor”. Idhulli im dhe i miliona tifozëve, Franz Beckenbauer, si dhe Robert Papa, pranë tij, ngelën të habitur. Një djalë i ri, me syze, bëri aktin e paprecedent: po i kërkonte Kaiserit një autograf, mbi një foto të tijën, me ngjyra, me Kupën e Botës që kishte ngritur dy muaj më parë, në Romë. Kaiseri firmosi foton dhe më pas fshiu dorën nga djersa e dorës sime të sikletosur që iu drejtua për ta shtrënguar. Gazetari i “Sportit Popullor” lajmëroi policët, të cilët më intervistuan me hollësi, por qëllimi ishte tjetër. Ata kërkonin të shihnin se çfarë letre kishte firmosur gjermani i famshëm. Për më tepër, njëri prej tyre tentoi ta griste, por duhet të ketë ndeshur në sy njerëzish të inatosur. Ishin kohë të vështira për regjimin. Njerëzit braktisën shkallët e stadiumeve dhe iu drejtuan ambasadave dhe shesheve e, më pas, edhe porteve dhe kufijve. Në stadium nuk do ktheheshin për shumë vite me radhë. Bashkë me ta, as unë….”- shkruan Balla. MAPO

 

SHKARKO APP