Rrëfimi tronditës! Sadri Cakoni mes lotësh: Me laps numëroja të vdekurit, jam i mpirë!
Sadri Cakoni, një qytetar nga Thumana i cili humbi mbi 6 familjarë nga tërmeti i fuqishëm që goditi vendin, ka folur me gazetarin e emisionit “Shqiptarët për shqiptarët” Ferit Lika për dëshpërimin dhe dhimbjen e tij të madhe, nga humbja e anëtarëve të familjes.
“Përdorja lapsin për të numëruar të vdekurit, vetëm mua më ka bërë vaki. Unë quhem Sadri Cakoni, kam humbur në tërmet shumë njerëz, një familje e humba komplet, u shua u mbyll një familje.
Nuk mbushem dot me frymë, atje humba motrën me dy djemtë. Me vajzë me nusen, më ka ngel një dhëndër e kanë nisur jashtë për në Itali, humba vëllain dhe vajzën e vëllait, nusja e vëllait është në spital. I hodha vëllait dy grushte dhe u largova për të çuar kufomën e nuses së nipit në Korçë, të Stelës. Kam udhëtuar gjithë natën për të futur nën dhe edhe katër të tjerë se ne jemi rreth miqësie dhe ishin dhe shtatë apo tetë arkmorte të tjerë kisha edhe kushërinjtë që ndërruan jetë. Ky tërmet na fundosi komplet, e çfarë e duam jetën. Familja ime është Cara dhe Cakoni”.
“Shtëpia ka gratë brenda, njerëzit që po vijnë po na mbajnë pak me kurajo. Na kanë vizituar shumë edhe shqiptarë të Kosovës, janë vëllezërit tanë. Unë nuk jam i mësuar me të tilla tragjedira, jam i fundosur komplet. Mbrëmë na erdhën njerëz nga Maqedonia e Veriut. Unë fle përjashta, nuk futem brenda më, sa të kem jetën. Sa herë binte tërmet ata vinin këtu në këtë shtëpi, atë natë nuk kishin lëvizur, por në i gjetëm kufomat të veshur për të dalë, ishin përgatitur, për të dalë.
Rri e mendoj them si jetoj kështu, ne e mbajmë veten të mpirë me ilaçe, unë kam parë tragjedi me sytë e mi, ishte tmerr. Kam shkuar vetë tek morgu. Unë këtu i kërkoj njerëzit e mi, më mungojnë shumë, më mungon shpirti, më mungon zemra”.
Sadri Cakoni një mesazh e ka edhe për Elvis Naçin.
“Ai është burrë me logjikë, burrë me shpirt, ai po vendos dorën në zemër që këta fëmijë mos ti lejë në rrugë. Nga emisioni që e kam parë ai ka lidhje me Zotin , është i përlotur.” Balkanweb.com