Rrëshen, si u ‘kamuflua’ laboratori i drogës, zona ruhej me roje
Një magazinë e ndërtuar pranë një pike ushqimore, që dikur shërbente shërbente si pularia e ndërmarrjes bujqësore të Rrëshenit, ishte kthyer nga trafikantët në laborator droge, i pajisur me rezistenca dhe tuba ajrimi, për përpunimin e bimëve narkotike. Sasia e drogës, vendosej në 6 nivele të krijuara me tela, dhe më pas aty kryhej procesi i tharjes së drogës.
Burime për Shqiptarja.com bëjnë të ditur se laboratori i drogës u ngrit pranë pikës ushqimore, me qëllim që të justifikohej lëvizja e shpeshtë e makinave dhe njerëzve që hynin e dilnin në zonë.
Mësohet se e gjithë zona ruhej me roje, ndërsa policia është vënë në dijeni të ekzistencës së laboratorit të drogës pas informacioneve për lëvizje të shpeshtë furgonësh e makinash pranë ish-pularisë.
Pas këtij informacioni, policia vëzhgoi zonën për tre ditë me radhë dhe më pas ndërhyri duke ndaluar 15 persona, mes të cilëve edhe katër të rinj nën 18-vjeç, të cilët do të gjykohen në Gjykatën e Krimeve të Rënda si grup i strukturuar kriminal.
TRE TON KANABIS
Teksa agjentët e policisë,të përforcuar në këtë operacion dhe nga efektivë të repartit RENEA kanë hyrë në magazinë mesditën e djeshme, duke konstatuar një sasi të madhe droge. Nga peshimi i saj, rezultoi se brenda në magazinë ndodhej një sasi prej 3 ton drogë.
Ndërkohë që gjatë ndërhyrjes së policisë, janë ndaluar dhe më pas shoqëruar në policinë e Lezhës, 15 persona, punonjës në këtë magazinë. Ata janë marrë në pyetje lidhur me detyrat e punës që kishin për të kryer në magazinë.
Ndërkohë në prangat e policisë ka rënë dhe shtetasi Kastriot Reçi, i cili është pronari i magazinës. Ai është marrë në pyetje gjatë mbrëmjes së djeshme,por nuk ka dhënë shpjegime lidhur me praninë e drogës në magazinë, duke kërkuar një avokat.
100 FORCA POLICIE
Në operacionin për zbulimin e kësaj magazine që shërbente si laborator për tharjen e drogës, kanë qenë 100 forca policie, ku mes tyre ka pasur dhe efektivë të RENEA.
Frika për një rezistencë me armë nga ana e trafikantëve, ka bërë që policia e Lezhës të kërkojë dhe ndihmën e RENEA-s.
Në këtë operacion është shmangur policia lokale e qytetit të Rrëshenit, e cila çuditërisht nuk ka pasur informacion për këtë magazinë, që ndodhej në dalje të qytetit.
Lidhur me këtë çështje, policia po heton dhe disa pjesëtarë të këtij komisariati, si të dyshuar se janë implikuar me trafikantët.
/shqiptarja.com
KOHA JONË SONDAZH

