Rrethi vicioz i korrupsionit

Nga Brunilda Zeneli*

Tema dhe kryefjala e ditës tek ne është korrupsioni. Çdo fjalim politikani dhe shtetari fillon me konstatimin se ka korrupsion, po luftojmë korrupsionin, kemi strategji antikorrupsion, kemi ulur korrupsionin në krahasim me periudhat e mëparshme. Një gjë mund të thuhet, fakti se korrupsioni është bërë një element preokupimi kombëtar është paradoksalisht arritja e parë e vërtetë mbi korrupsionin.

Në “TI Source Book” përmenden gjashtë pika kyçe të rëndësishme për frenimin apo të paktën zvogëlimin e korrupsionit brenda një shteti. Së pari, është shumë e rëndësishme që drejtuesit politikë të pozicionohen publikisht kundër korrupsionit, por jo vetëm; së dyti, të hartohen programe shtetërore për zbatimin e strategjisë antikorrupsion; së treti, transformimi i administratës dhe autoriteteve; së katërti, zbatimi i ligjeve dhe ofrimi i qasjeve tek informacioni; së pesti, transparenca dhe së gjashti, rritja e efektit të institucioneve në luftë kundër korrupsionit.

Swiss Digital Desktop Reklama

Lufta kundër korrupsion rezulton të jetë një nga proceset më të vështira, kjo për faktin se jo rrallë herë të duket sikur je mbërthyer në një rreth vicioz.

Swiss Digital Mobile Reklama

Në një vështrim të parë, duket se ne i kemi realizuar këto kërkesa. Në realitet, kemi politikanë të korruptuar të cilët gjithë ditën mbajnë referate dhe tregojnë se si duhet luftuar korrupsioni, kemi ndërtuar strategji antikorrupsion; kemi përmbysur administratën në emër të rritjes së performancës së saj dhe luftës së të korruptuarve, por kjo vetëm për qëllime politike dhe pa asnjë kriter; kemi suficit ligjesh, por deficit zbatimi; kemi transparencë sipërfaqësore dhe së fundi kemi rënie të ndikimit të institucioneve në luftë kundër korrupsionit.

Të ndodhur përpara kësaj situate duket sikur lufta kundër korrupsionit ka hyrë në një rreth vicioz. Kush bën korrupsion më shumë, ulëret më shumë kundër korrupsionit. Që të bësh korrupsion duhet të paktën të ekzistojnë tre premisa, të kesh dëshirën, të kesh nevojë dhe të kesh mundësinë, pra pushtet, vendimmarrje etj. Po themi se dëshirën e kanë të gjithë, nevojën e kanë të gjithë, pasi “asnjë s’ka aq shumë para sa të mos kërkojë të tjera”, por mundësitë nuk i kanë të gjithë. Pushtetari i nivelit më të lartë, ka mundësinë të prodhojë korrupsion më shumë, ka në dorë vendime të rëndësishme, ka në dorë firmën dhe vulën për të favorizuar të tretë, biznese apo grupe interesi duke përdorur postin publik për përfitime personale.

Si gjithmonë dhe kudo korrupsioni është përcaktuar si abuzim i punonjësit publik me detyrën  për përfitime private. Pavarësisht se ka qasje, që e ndajnë korrupsionin në korrupsion të vogël, korrupsion të madh dhe grabitje “korrupsion elitar”, ndikimi i tyre në jetën dhe financat publike është i ndryshëm, ç’ ka do të thotë se efektet më të rënda në jetën e qytetarit dhe financat e tij i shkakton korrupsioni i madh dhe “elitar”.  Korrupsioni i vogël përfshin shuma relativisht të vogla parash ose dhurata që ndryshojnë duart kur njëra nga palët është vetë një zyrtar relativisht i vogël në organizatën ose sistemin brenda të cilit kryhet transaksioni. Për shembull, duke paguar një polic në rrugë. Korrupsioni i madh shpesh përfshin biznesmenë dhe zyrtarë qeveritarë të rangut të lartë, pra figurat e përfshira janë të rëndësishme dhe vlerat monetare të konsiderueshme, psh pagesat e zyrtareve për të përfituar kontrata të punëve publike, dhe kjo sjell pasoja të rënda. Konkretisht kontrata të realizuara pa cilësi, të përfituara me kosto më të lartë nga çfarë janë realisht, etj. Lloji i tretë i korrupsionit është ai elitar që realizon “grabitjen”. Shtysa për këtë shpesh është politike dhe ndodh nën drejtimin ose me pranimin e lojtarëve të rëndësishëm politik në një vend të caktuar.  Kjo ka të bëjë me ndikim të grupeve të interesit, biznese të fuqishme në nivelin e lartë, si tek ligjvënësi, qeveria duke prodhuar ligje, vendime, marrëveshje të cilat që në krye të herës hartohen dhe miratohen sipas kërkesave të grupeve të ndryshme të interesit dhe që janë në funksion të përfitimit të dyanshëm dhe jo për të prodhuar një të mirë publike. Në rastet e korrupsionit të madh një ministër mund të marrë një “shpërblim” prej 100 milion lekë në një kontratë të ndërtimit të rrugëve qeveritare me vlerë 1 miliard lekë. Rruga është ndërtuar por cilësia e tij nuk pasqyron koston e saj. “Grabitja” nga ana tjetër është një aktivitet shumë më i paramenduar sepse shpesh përfshin krijimin e qëllimshëm të një projekti qeveritar për të cilin fondet do të ndahen dhe shpenzohen, por projekti nuk ka për qëllim të përfundojë që nga fillimi, apo fondet për një ujësjellës përfundojnë në një destinacion tjetër pa efektivitet, por sipas porositësit. Në media shpesh janë përmendur raste të korrupsionit të tre llojeve, por ndryshe nga lloji i parë ku është përmendur edhe penalizmi i të korruptuarve, në rastin e korrupsionit të madh kemi dëgjuar për ndonjë rast sporadik, ndërsa për rastin e korrupsionit “elitar” as që bëhet fjalë.

Sipas gjithë studimeve dhe sondazheve të fundit Shqipëria rezulton të karakterizohet nga institucione dhe sisteme të dobëta, si parlamenti, gjyqësori, prokuroria, shërbimi civil, shoqëria civile, media etj., të cilat reflektojnë një një kulturë të kufizuar demokratike. Po ti referohemi të dhënave që vijnë nga disa studime rreth korrupsionit, përhapjes dhe perceptimit të tij, ne kemi bërë hapa mbrapa. Kështu sipas studimit të IDRA-s (Institute for Development Research and Alternatives) gjatë viteve 2010-2015 dhe 2016 shumica e treguesve janë përkeqësuar. Besimi tek institucionet nga 44 % ka rënë në 37 % në 2016.  Në vitin 2016, rreth 89 % e të anketuarve mendojnë se korrupsioni është i përhapur, ndërsa tre vite më parë 70 % e tyre kishte këtë mendim. Gjithashtu, një tregues i cili vlen të theksohet është “ndihmesa e institucioneve në luftë kundër korrupsionit” ku gjykatat kanë rënie të këtij treguesi nga 40 % në 32 %, prokuroria nga 41 % në 34 % dhe media nga 61% në 52 %.

Vendi jonë për pos të tjerave karakterizohet nga një mjedis ku ka vetëdije të kufizuar nga ana e popullatës së gjerë në lidhje me pasojat e korrupsionit. Publiku ka perceptim të lartë të nivelit të korrupsionit, por është i përfshirë në një lloj epidemie të tipit “le të marri, të paktën ky bën ndonjë punë”. Kjo situatë kërkon ndërgjegjësimin e publikut mbi çështjet e korrupsionit për të kuptuar natyrën e korrupsionit dhe efektet e tij në ekonomi, shoqëri dhe politikë, si dhe dëmet që shkakton. Publiku duhet të kuptojë se korrupsioni zbraz xhepat e tyre, duhet të kuptojnë korrelacionin që ekziston mes korrupsionit dhe varfërimit të tyre.

Ky korrelacion midis varfërisë dhe korrupsionit vërtetohet edhe me shifra. Sipas të dhënave të përvitshme të publikuara nga institucionet ndërkombëtare si WB (mbi GDP-në/ardhurat për frymë) apo TI (mbi CPI/indeksi i perceptimit të korrupsionit), vendet me nivel të lartë mirëqenie (përsa ju përket të ardhurave për frymë) janë të renditur në fillim të tabelës dhe po këto vende janë të renditura në fillim të tabelës edhe përsa i përket nivelit të ulët të korrupsionit.

Korrupsioni sjell varfëri         vendet e varfra kanë më shumë korrupsion. Korrupsioni është një shkak i varfërisë dhe pengesë për zhdukjen e saj, pasi mund të shkatërrojë çdo përpjekje për zhvillim. Nga ana tjetër, varfëria e favorizon korrupsionin pasi dobëson institucionet ekonomike, politike dhe sociale. Korrupsioni është një nga përcaktuesit kryesorë të varfërisë. Lufta kundër korrupsionit është pra një pjesë e rëndësishme në procesin e reduktimit të varfërisë. Nivelet e larta të korrupsionit përkeqësojnë kushtet e jetesës së të varfërve duke shtrembëruar të gjithë procesin e vendimmarrjes lidhur me programet e sektorit publik. Për ti bërë ballë kësaj të keqeje duhet që ligjvënësit, pushtetarët, punonjësit publikë të vihen në presion nga publiku, shoqëria civile, media, organet e pavarura të auditimit, ku pa diskutim KLSH gjatë këtyre viteve ka luajtur një rol domethënës në denoncimin e rasteve abuzive më postin publik. Referuar fakteve, KLSH gjatë vitit 2011 i ka përcjellë organit të akuzës, 6 kallëzime penale për 13 persona, ndërsa  gjatë vitit 2016 i ka përcjellë organit të akuzës, 49 kallëzime penale për 191 persona.

Për më tepër, po ti referohemi periudhës 10 vjeçare 2002-2011, KLSH ka kryer 168 kallëzime penale për 490 persona, ndërkohë që vetëm për 5 vjet, gjatë periudhës 2012-2016, ka kryer 219 kallëzime penale për 718 persona. Dëmi ekonomik i zbuluar nga KLSH gjatë periudhës 2012-2016, është në vlerën 191 miliardë lekë, ndërsa gjatë periudhës 10 vjeçare 202-2011, ka qenë në vlerën 48 miliardë lekë. Po t’ju referohemi masave disiplinore dhe administrative të rekomanduara gjatë periudhës 5 vjeçare 2012-2016 janë rekomanduar 6741 masa, ndërsa për periudhën 10 vjeçare 2002-2011, janë rekomanduar 6899 masa. Treguesit e performancës së KLSH-së, faktet, flasin vetë.

* Audituese në KLSH

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A keni besim se Protesta do ta rrëzojë kryeministrin Rama?