Rrethohet Lazarati, blindohet kufiri me Greqinë

Forcat RENEA, si dhe me qindra forca të Ndërhyrjes së Shpejtë kanë rrethuar prej disa orësh fshatin Lazarat, në kërkim të autorëve që qëlluan dhe vranë një efektiv  policie, si dhe plagosën dy të tjerë.

Edhe rrugët që lidhin fshatin me qytete të tjera si dhe vija kufitare me Greqinë në Gjirokastër mësohet se është blinduar prej orësh nga policia.

Sipas të dhënave, grupi i armatosur që qëlloi mbi policinë ndodhet ende në Lazarat dhe vazhdon të qëllojë ndaj forcave speciale.

Policia kërkon të shmangë gjakderdhjen e mëtejshme dhe bën thirrje të dorëzohet çdokush që është i armatosur në fshat. RENEA (që do të thotë: Reparti i Eliminimit, Neutralizimit të Elementëve të Armatosur), pas vrasjes së një efektivave të saj, e ka të qartë misionin nëse rrezikohet jeta e ndonjë efektivi tjetër.  

Konflikti nisi në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, pas një kontrolli të policisë. Një grup i armatosur qëlloi ndaj forcave RENEA, ku mbeti i vrarë Ibrahim Basha, si dhe janë plagosur dy efektivë të tjerë të këtij reparti, Perlat Hamitaj dhe Jetmir Isaj, të cilët  janë jashtë rrezikut për jetën. Atyre u është dhënë ndihma e parë në spital ku njëri ka plagë në ballë, tjetri në shpatull.

Kryeministri Edi Rama në një mesazh të shkurtër pas ngjarjes tha se “Sot ditë zie, paçin faqen e zezë ata që fajësojnë policinë”, ndërsa mësohet të jetë takuar me ministrin Sajmir Tahiri për të menaxhuar situatën në Lazarat. Drejt Gjirokastrës edhe ministri Sajmir Tahiri me drejtues të lartë të Policisë së Shtetit drejt Lazaratit.

Opinioni publik në rrjetet sociale ka dënuar rëndë aktin kriminal në Lazarat dhe kërkon që përgjegjësit të vihen para drejtësisë. “Shteti t'i shkojë deri në fund kësaj pune,” – shkruan një ndër komentuesit në rrjetet sociale për ngjarjen.

Efekti i vrarë kishte qenë më parë me mision në Afganistan, dhe kishte 6 muaj që ishte bërë pjesë e RENEA. “Shpëton në Afganistan, e vrasin në vendin e tij.” – shkruan një komentues tjetër, ndërsa i tërë opinioni publik në rrjetet sociale është shprehur në mbështetje të policisë, duke i shprehur  ngushëllime familjes së efektivit që ra sot në krye të detyrës.

SHKARKO APP