Rrezik konfrontimi! Rumania ngre në qiell bombarduesit F-16
Një përshkallëzim i frikshëm është evidentuar gjatë 24 orëve të fundit midis Rusisë dhe Rumanisë, anëtare e NATO. Sulmi me dronet ruse në Ukrainën jugore kanë përbërë një kërcënim real për Rumanin e cila ndodhet në kufi me Ukrainën.
Dronët rus kanë goditur territoret e Ukrainës por nga ana tjetër kanë përbërë një kërcënim për territoret kufitare rumune, çka ka bërë që kjo e fundit të ngrejë në qiell bombarduesit F-16. Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Mbrojtjes së Rumanisë në X.
Ndërkohë, forcat ruse kanë ndërmarrë sulme me raketat balistike “Iskander”. Si pasojë e sulmeve janë shkatërruar dy pika strategjike të sistemeve të raketave tokë-ajër Patriot në rajonin Odesa të Ukrainës, tha ministria ruse e mbrojtjes. Ministria tha në një deklaratë në Telegram, se u shkatërrua edhe një stacion radar. Nuk ishte e qartë se kur ndodhi sulmi ndaj sistemeve Patriot. Një video e publikuar në Telegram nga ministria tregohen shpërthime në tokë të pabanuar pranë një bregdeti. Nga ana e saj, Ukraina nuk ka bërë asnjë koment për këto deklarata, duke nënkuptuar vërtetësinë e tyre.
Rusia synon vazhdimisht infrastrukturën energjetike të dëmtuar rëndë të Ukrainës, duke rezultuar në orë të tëra ndërprerjesh të vazhdueshme në të gjithë vendin. Zyrtarët ukrainas kanë paralajmëruar se situata mund të përkeqësohet me afrimin e dimrit.
Më herët në rajonin e Donetskut në lindje, bombardimet ruse vranë 11 civilë dhe plagosën 43. Pesë persona vdiqën në qytetin Selydove në juglindje të Pokrovsk, qyteti lindor që është shfaqur si një pikë e nxehtë e vijës së parë.
Sakaq, qeveria ukrainase po punon për një strategji të re detare që së shpejti do të miratohet nga Këshilli Kombëtar i Sigurisë dhe Mbrojtjes. Këtë fakt e ka bërë të ditur presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
“Ne e kuptojmë qartë se lufta ka ndryshuar ekuilibrin e forcave në të gjithë rajonin tonë të Detit të Zi dhe se flota ruse nuk do të dominojë më kurrë këto ujëra”, tha Zelensky në fjalimin e tij të përditshëm.
“Ne po konsolidojmë interesat tona, duke marrë parasysh mundësitë e reja teknologjike të Ukrainës dhe marrëdhëniet tona me partnerët”, shtoi ai, duke shpjeguar se strategjia është duke u përcaktuar.