“Rrezikojmë daljen nga NATO me Olta Xhaçkën”, Klevis Balliu: FA në nivelet më të ulëta! Të ndalen emërimet nepotike

Klevis Balliu

Ish-deputeti demokrat, Klevis Balliu, sulmoi ministren e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, teksa foli për situatën në vend pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit.

I ftuar në rubrikën “Opinion”, në News24, Balliu tha se tërmeti tregoi se Forcat e Armatosura ishin në nivelet më të ulëta, pa pajisje, pa kokore, pa doreza dhe të pa trajnuar për të shpëtuar jetë njerëzish nën rrënoja.

Sipas tij, një gjë e tillë ndodh për shkak të abuzimeve dhe emërimeve nepotike, duke shtuar se ministrja Xhaçka ka i ka dhënë të drejtë drejtoreshës së kabinetit të saj që t’iu japë urdhra Forcave të Armatosura.

“Jo, nuk e ndjeva tërmetin e mbrëmshëm. Vendi është në ditët më të zeza të tij. Çdo dikaster është në nivelet më të ulëta. Mund të marrim Ministrinë e Mbrojtjes, ku pajisjet, trajnimi i Forcave të Armatosura është në nivelet më të ulëta dhe këtë e provon tërmeti. Ishin njerëz pa asnjë plan veprimi dhe pa asnjë pajisje. Njerëzit tanë aty ishin pa kokore, pa doreza, dhe kjo vjen nga abuzimet që bëhen, nepotizma. Psh. nipi i shefit të shtabit është emëruar në ministri. Drejtoresha e kabinetit të Xhaçkës i jep urdhra FA, që është kundër ligjit”, tha ish-deputeti.

Çfarë lidhje ka kjo me përballimin e situatës?
Nëse bëhen emërime nepotike dhe jo emërime në bazë të kapaciteteve ndodh që ne kemi atë nivel të ulët e të dobët ndërhyrjeje kur i nevojitet qytetarit. Mungojnë pajisjet e nevojshme, që do duheshin atë ditë kur ra tërmeti. Agjencia Kombëtare e Emergjencave nuk funksionoi, edhe sot kësaj dite, që jemi në emergjencë, nuk janë ngritur grupe në terren për të bërë verifikime, për t’u siguruar për qytetarët. Është ligji i bërë nga kjo qeveri, por që vdiq ende pa lindur.

Jemi në fazën e rindërtimit…
Ne nuk e dimë akoma sa shtëpi janë për t’u rindërtuar, si mund të nisë rindërtimi. Shteti merr godinën e batalionit, që është për emergjencat, dhe ia jep një klubi futbolli të Olsi Ramës.

Pse s’i bëni publike, Rama iu lut dje opozitës të mbikëqyrë procesin e rindërtimit dhe t’i publikojë rastet e denoncimit…

Ne kemi denoncuar çdo rast, kjo opozitë vetëm për këtë nuk mund të akuzohet. Vetë lideri i opozitës së bashkuar ka qenë në çdo cep ku ka pasur qoftë dhe një person të vetëm të dëmtuar nga tërmeti. Kryeministri thotë që janë shpifje, sepse ata janë kthyer në një grup teatral, që vetëm vjedhin. Do duhen nja 30 vjet, nëse do ecet me këtë hap, për të shpërblyer qytetarët e prekur nga tërmeti, sepse kemi një qeveri të paaftë, që vjedh e bën korrupsion, bën emërime nepotike e familjare, siç ndodh te Ministria e Mbrojtjes, që kanë shkatërruar këtë ministri. Nëse kjo gjë do të vazhdojë, do sjellë largimin e vendit tonë nga NATO.

Si do të ishte e suksesshme faza e rindërtimit?
Në momentin që vihet Arben Ahmetaj ministër i Rindërtimit këtu ka një pikëpyetje shumë të madhe, sepse ai njihet vetëm për vjedhje, pasi kur ishte te Financat, kanë ndodhur vjedhjet më të mëdha. të vësh Ahmetajn ministër të Rindërtimit është t’i varësh ujkut mëlçitë në qafë. Ky nuk është ministër që shquhet për një plan të madh për rritje ekonomike, por ministër që groposi ekonominë dhe shqiptarët. Ne kemi dhënë propozime konkrete si zgjidhet situata. Rama nuk mund të na tregojë procesin e rindërtimit, nuk është inxhinier, por kjo është qeveri e shkatërrimit, jo e rindërtimit.

Kjo qeveri nuk ka më para për t’i shërbyer qytetarit, por vetëm për xhepat e vet. Këta kanë para vetëm për qejfet e tyre, makina e tyre, shpenzimet e tyre, daljet jashtë vendit. Ju keni denoncuar vetë një akt banditesk të Veliajt, që ka shpenzuar shuma marramendëse thjesht dhe vetëm për të lëvizur jashtë vendit. A thua se është kryebashkiak i Monte Carlos dhe jo i Tiranës.

Tryeza e Reformës Zgjedhore është mbajtur, Hajdari u shfaq skeptike nëse palët do arrijnë marrëveshje … A do arrihet marrëveshja brenda afateve?
PD kërkon të plotësohen kushtet e Bundestagut, që flasin qartë për implementim të Reformës Zgjedhore me konsensus. Ne do bëjmë gjithçka për të plotësuar kushtet e Bundestagut. Është kjo arsyeja pse sot të gjitha palët duhet të gjejnë gjuhën e tyre. Reforma Zgjedhore nuk mund të themi se do të luftojë vjedhjen e votave, krimin, pasi këtë duhet ta bëjë shteti.

Unë mendoj se është e rëndësishme se në asnjë vend të botës nuk ka një sistem elektoral që lufton krimin, apo parandalon vjedhjen e votës. vjedhjen e votës e parandalon drejtësia, prokuroria, policia, jo sistemi. Çfarëdolloj sistemi të jetë në Shqipëri, Rama do të vjedhë votat. Rama ka një plan për mbrojtjen e kriminelëve. Ai po nxjerr edhe banditë të kapur nga PD, që kanë qenë në burg të përjetshëm.

SHKARKO APP