Rreziqet e hapjes pas izolimit, Alibeaj: Qeveria duhet të shmangë kaosin, se nuk pyet njeri për shtet pastaj
Së bashku me hapjen dhe daljen nga izolimi vinë edhe rreziqet. Ish-ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, për “Tempora” në Rtv Ora thotë se uria po bëhet gjithmonë e më prezente në tavolinat bosh të shqiptarëve.
Sipas tij qeveria duhet ta menaxhojë mirë këtë situatë post-epidemi për të mos shkuar në një kaos.
Alibeaj: Uria po bëhet gjithmonë e më prezente në tavolinat gjithmonë e më bosh të shqiptarëve por kjo nuk çon domsdoshmërisht në harresën e gjithçkaje tjetër. Çon te mbijetesa dhe mbijetesa është instikti më i fuqishëm i njeriut të gjallë. Sensi i mbijetesës i bën njerëzit për t’ju drejtuar vetes. I bën të mendojnë se cili është shkaku, është thjesht një armik i vogël i padukshëm si koronavirusi, është paaftësia e shtetit apo neglizheënca e qeverisë? Shteti edhe sikur të ishte zënë në befasi ditët e para do të kishte mundësi të fitojë kohën e humbur. Ky është optimizmi që duhet të burojë nga instikti i mbijetësës. E rëndësishme është të mos shkojmë në kaos. Nuk pyet njeri për shtetin pastaj. Qeveria këtë duhet ta mbajë fort përndryshe do të jetë e pavozitshme.
Në gjykimin e tij situata e re nëpër të cilën kaluam kishte edhe një anë pozitive.
Alibeaj: Kjo situatë ka dhe një të mirë të vogël, duke qenë të mbyllur në shtëpi të fillojmë të mendojmë dhe ta shohim cullak këtë palo shtet që mbretëron. Zgjidhja fillon nga reflektimi i çdo individi dhe pastaj reagimi. Nëse nuk bëhemi koshient për ca të drejta minimale nuk do të ketë ndryshim.
Alibeaj thekson se korrupsioni dhe varfëria masive janë flora dhe fauna optimale që krimi i organizuar, mafia të depërtojë deri në artikulimet më periferike.
Alibeaj: Në Itali flitet për mafian si strukturë e paligjshme ndërkohë simptoma të tilla këtu aplikohen prej qeverisë. Korrupsioni është i ngritur në monument prej qeverisë. Po marrim ndarjen e ushqimeve në këtë kohë, shpërndahen vetëm te familjet që kanë marrë pjesë në votimet e 30 qershorit, deri këtu shkon sjellja mafioze e qeverisë. Ajo që po del si e re në këtë situatë pandemie është fakti se kjo qeveri dhe kryeministër po tenton të rrëmbejë dhe thelbin e demokracisë, liritë individuale, kemi 50 ditë të mbyllur brenda.