Rreziqet nga IA, Tushi: Disa profesione të lidhur me njeriun s’do asgjësohen
Sociologu i njohur Gëzim Tushi ka deklaruar për emisionin “Në Kohë Reale” në RTSH1 se pavarësisht zhvillimi të tekonologjisë dhe përparimit të Inteligjencës Artificiale, disa profesione do t’i rezistojnë kohës. Sipas Tushit, disa profesione që janë pjesë e lëkurës njerëzore nuk do të asgjësohen.
“Edhe pse shumë profesione do të marrin karakter teknologjik nëpërmjet Inteligjencës Artificiale dhe mjeteve të tjera edhe pse informacioni publik do të bëhet shumë i përdorueshëm, disa profesione që janë të lëkurës njerëzore do të mbeten. Do të përparojë teknologjia por kontakti me lëkurën njerëzore të disa profesioneve nuk do të asgjësohet sepse janë të domosdoshme sepse jemi në një dilemë dhe në fillimet e këtij revolucioni të katërt që nuk do të jenë kurrë i kthyeshëm mbrapsht”, ka theksuar Tushi.
Ai vuri në dukje se në shoqërinë shqiptare ka dy tendenca me rritjen e përdorimit të rrjeteve sociale nga adoleshentët. “Në një farë mënyre teknologjia do të jetë një shtojcë organike e njeriut. Shkencëtarët thonë ndonjëherë në mënyrë metaforike që do të injektohet brenda trupit të njeriut për të qenë i lidhur online në çdo kohë. Në momentet e tanishme në shoqërinë shqiptare unë ndiej që ka dy tendenca; ka një teknofili të shfaqur dukshëm, sidomos te adoleshentët e shoqëruar me anën e ndritur dhe me anën e errët sikurse është edhe bullizmi sepse adoleshentët e sotëm kanë filluar të përdorin shumë rrjetet sociale”, tha më tej sociologu i njohur Gëzim Tushi.
KOHA JONË SONDAZH

