Rriten kontrollet për masat anti-Covid/ Gjoba të majme për përfaqësuesin e një shoqate dhe dy administratorë lokalesh
Policia ka intensifikuar kontrollet për zbatimin e masave anti-Covid si në Tiranë ashtu edhe në rrethe.
Blutë kanë ndëshkuar me 5 milionë lekë shtetasin A.D përfaqësuesi i një shoqate në Durrës, pasi kishte shkelur rregullin për mos mbajtje të grumbullimeve.
Ndërkaq, në Divjakë janë ndëshkuar me 1 milion gjobë, administratorët e dy lokaleve që lejuan zhvillimin e aktiviteteve politike në kundërshtim me Aktin Normativ për marrjen e masave parandaluese për përhapjen e COVID-19.
Njoftimi i Policisë për Durrësin
Vijojnë kontrollet nga Policia e Durrësit, për monitorimin e zbatimit të masave anticovid, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Strukturat e Policisë Durrës, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, vijojnë kontrollet për monitorimin e zbatimit të masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Si rezultat i kontrolleve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 5.000.000 lekë, shtetasin A. D. (përfaqësues i një shoqate), pasi ka organizuar një aktivitet në kundërshtim me Aktin Normativ Nr. 3 datë 15.03.2020, pikën 2 të nenit 3, si dhe pikën 1 të Urdhrit nr. 633 datë 17.11.2020 “Për ndalimin e grumbullimeve në vende të mbyllura apo të hapura”.
Drejtoria Vendore e Policisë Durrës apelon për të gjithë qytetarët që të respektojnë me korrektësi masat anticovid dhe i fton ata të denoncojnë në Komisariatin Dixhital, cilindo që nuk respekton këto masa kufizuese, duke u kthyer në burim rreziku për qytetarët.
Njoftimi i Policisë për Divjakën
Ndëshkohen me masë administrative 1.000.000 lekë, administratorët e dy lokaleve që lejuan zhvillimin e aktiviteteve politike në kundërshtim me Aktin Normativ për marrjen e masave parandaluese për përhapjen e COVID-19.
Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Divjakë, pas konstatimit në rrjetet sociale se përfaqësues i një subjekti politik, në kundërshtim me Aktin Normativ, kishte organizuar dhe zhvilluar aktivitete duke krijuar grumbullime personash, në ambientet e dy lokaleve në Divjakë dhe në Çermë-Sektor, përkatësisht me administratore shtetasen E. M., dhe shtetasin Sh. A., ndëshkuan me masë administrative 1.000.000 lekë secilin prej administratorëve.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon për të gjithë qytetarët, pronarët dhe administratorët e lokaleve, që të respektojnë me korrektësi masat anticovid për të bërë të mundur shkëputjen e zinxhirit të infektimit nga virusi dhe fton qytetarët të denoncojnë në Komisariatin Dixhital cilindo që nuk respekton këto masa kufizuese duke u kthyer në burim rreziku për qytetarët.