Rriten pagat për 720 efektivë të strukturave speciale
Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu njoftoi sot një rritje tjetër page për rreth 720 efektivë të strukturave speciale, që ndodhen në vijën e parë të përballjes me krimin e organizuar dhe individët me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Rritja prek tri strukturat e posaçme të Policisë së Shtetit: RENEA, Forcat Kombëtare të Sigurisë (ish-FNSH) dhe Forcën e Posaçme Operacionale.
Konkretisht, për forcat speciale RENEA paga rritet me 25 mijë lekë (rreth 250 euro), ose 20% më shumë. Për Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe efektivët e Forcës së Posaçme Operacionale, paga rritet me 14 mijë lekë, ose rreth 14%.
Pas kësaj rritjeje, paga e një inspektori në RENEA shkon në pothuajse 1600 euro, ndërsa për një drejtues arrin në rreth 2300 euro. Në Forcën Operacionale, paga për gradën inspektor shkon rreth 1200 euro, ndërsa për gradën kryekomisar varion nga 1600 deri në 1700 euro. Efekti financiar i kësaj rritjeje është parashikuar në buxhetin e shtetit për këtë vit.
Ministrja Koçiu theksoi se kjo është një shprehje konkrete e mirënjohjes ndaj atyre që rrezikojnë jetën çdo ditë, për të garantuar rendin dhe sigurinë publike.
KOHA JONË SONDAZH

