Rritet me 4,7% energjia elektrike e disponueshme
Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2019, energjia elektrike në dispozicion u rrit me 4,7 %, bëri të ditur sot INSTAT.
Prodhimi neto vendas i energjisë elektrike në këtë periudhë ka rënë me rreth 2,1 herë, duke arritur vlerën 1280 GWh nga 2707 GWh energji të prodhuar në tremujorin e dytë të vitit 2018.
Ky prodhim u realizua nga hidrocentralet publike në masën 37,8 %, nga hidrocentralet private dhe koncensionare në masën 61,7 % dhe nga të tjerë prodhues (energji e rinovueshme) në masën 0,5 % të prodhimit neto vendas të energjisë elektrike.

Ulja e prodhimit të energjisë elektrike ka ndikuar në rritjen e importeve bruto të energjisë elektrike me rreth 4,9 herë dhe uljen e eksporteve bruto të energjisë elektrike me rreth 7,8 herë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Hidrocentralet publike, në tremujorin e dytë të vitit 2019, prodhuan 484 GWh nga 1795 GWh të prodhuar në tremujorin e dytë të vitit 2018, duke shënuar kështu një rënie të prodhimit me rreth 3,7 herë.
Ndërsa, hidrocentralet private dhe koncensionare, prodhuan 790 GWh nga 912 GWh të prodhuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar një rënie të prodhimit të energjisë elektrike me 13,4 %.
Importi bruto i energjisë elektrike rezultoi me rritje duke arritur vlerën 683 GWh nga 139 GWh që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ndërsa eksporti bruto i energjisë elektrike rezultoi me rënie duke arritur vlerën 142 GWh nga 1106 GWh që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

KOHA JONË SONDAZH

