Rritet niveli i varfërisë dhe urisë, shkak Covid-19

Pandemia e Covid-19 ka rritur varfërinë dhe urinë për shumë njerëz në vitin 2020, sipas Organizatës së OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë, FAO. Në zonat si Afrika, konflikti dhe ndryshimi i klimës e kanë përkeqësuar më tej situatën tashmë të rëndë. Organizata e OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë thotë se përpjekjet e saj për të luftuar urinë kanë bërë një kthim pas 10 vjeçar për shkak të pandemisë së koronavirusit. Ekonomisti i lartë i FAO-s, Maximo Torero Cullen thotë se problemi nuk është mungesa e ushqimit, por qasja në të.

“Njerëzit nuk do të kenë qasje, sepse ata po humbasin punën dhe nuk kanë të ardhura. Vendet në zhvillim do të përballen me sfida të mëdha për shkak të recesionit global dhe për këtë arsye kequshqyerja mund të rritet deri në 132 milionë njerëz”. Ai parashikon përkeqësimin e varfërisë. “Ne po presim një rritje të varfërisë, ku deri në 150 milionë njerëz të tjerë pritet të kalojnë në varfëri ekstreme dhe 132 milionë të tjerë do të vuajnë nga kequshqyerja”. Ata që janë të ekspozuar ndaj trazirave ose ndryshimeve klimatike do të ndikohen më rëndë.

“Në Afrikën nën-Sahariane, në Afrikën Saheliane, shumica e tyre tashmë po përballeshin me konflikte, pasojat e rënda të ndryshimit të klimës, ose po përballeshin me mizërinë e gjinkallave, problemin që kemi në Afrikën Lindore”. Afrika Lindore u godit nga pushtimi shkatërrimtar i gjinkallave këtë vit. Në Kenia pati një përhapje të madhe të insekteve shkatërruese, më e rënda në 70 vjet, që dëmtoi rëndë jetën e miliona njerëzve.

Megjithëse pandemia ka goditur më rëndë pjesë të tjera të botës, si Shtetet e Bashkuara dhe Evropën, një sondazh nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (ICRC) zbuloi se të anketuarit në Afrikë janë prekur rëndë që nga fillimi i pandemisë. Halimatou Amadou i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në Dakar foli me Zërin e Amerikës përmes Skype-it.

“Në sondazh morën pjesë 2,400 njerëz nga 10 vende afrikane. Ajo që ata njerëz që kemi intervistuar thonë është vërtet tronditëse. Për shembull, 94 për qind thanë se çmimet e ushqimeve janë rritur në tregjet e tyre lokale. 82 për qind e njerëzve të anketuarve thanë se kishin humbur të ardhurat ose fitimet e tyre”. Ajo thotë se vetëm 7 për qind e njerëzve thanë se kishin kursime të mjaftueshme për të përballuar situatën aktuale. Në vende të tjera, situata është përkeqësuar për shkak të konflikteve, thotë zonja Amadou.

“Në Burkina Faso, rreth 2.8 milionë njerëz përballen me krizën e pasigurisë ushqimore ose më keq. Në fakt, kjo është 200 për qind më e lartë se vitin e kaluar. Tani kemi mbi 1 milion njerëz të zhvendosur dhe ata kanë humbur qasjen në tokat e punueshme. Kjo e ka vështirësuar qasjen e tyre tek ushqimi”. Përveç Afrikës, FAO është e shqetësuar edhe për Amerikën Jugore, e cila gjithashtu është goditur rëndë nga Covid-19.

/VOA/

SHKARKO APP