Rritja e çmimeve, Kryeministri Rama u përgjigjet qytetarëve: Unë dal para popullit dhe e shikoj në sy (VIDEO)
Kryeministri Edi Rama mëngjesin e sotëm u është përgjigjur qytetarëve në rrjetet sociale në lidhje me rritjen e çmimeve në vend dhe krizën energjetike.
Kreu i qeverisë tha se çmimi i energjisë për familjarët është nën koston reale dhe kjo është falë masave të marra për mbrojtjen e konsumatorit.
Më tej, Rama shtoi se çmimet në treg nuk i përcakton qeveria por kërkesa dhe oferta.
“Shqipëria nuk e prodhon sasinë e naftës, së pari, është naftë e rëndë ajo që prodhon dhe shkon për tregun ndërkombëtar. Rreth 600 mijë tonë janë nën produktet që vijnë nga importi.
Ne prodhojmë vetëm një pjesë të energjisë që konsumojmë, kjo na ndihmën që të kemi një çmim të rregulluar. Sot që flasim çmimi i energjisë për familjarët është një çmim nën koston reale, falë masave të marra për mbrojtjen e konsumatorit.
Çmimet e mallrave në treg i përcakton kërkesa dhe oferta jo qeveria, vetëm në diktaturën komuniste i vendoste qeveria. Për sa kohë flasim për mallra që i blejmë në tregjet ndërkombëtare siç janë energjia dhe nafta, çmimet janë njësoj si në Spanjë si në Shqipëri“,- tha Rama.