Rritja e konsumit nga investimet publike? Spahiu: Qeverinë e ka mbuluar borxhi me mbi 80%
Ish-deputeti i LSI-së, Përparim Spahiu, përmes një postimi në facebook, thotë se Ministrja e Financave e sheh rritjen ekonomike vitin që vjen në 5.9% dhe për tre vitet e ardhshme në 4.9%. Për të, pas ngadalësimit të ekonomisë, qeveria optimizmin e sheh tek rritja e konsumit nga investimet publike.
”Të thuash që do të rrisësh investimet publike kur të ka mbuluar borxhi me mbi 80%, të thuash që do të kesh investime publike kur në tetë vite të gjitha investimet direkte i ke fokusuar në kontrata afatgjata PPP-sh me kosto të tmerrshme është e pamundur e nuk të beson më njeri”.
Nga ana tjetër, ai thotë se modeli i tarifës në Rrugën e Kombit është vërtet model rritje konsumi, ”pasi qytetarët paguajnë dy herë për të njëtën gjë, blejnë naftën më të shtrenjtë si taksë rruge, paguajnë edhe traun e vënë në rrugë”.
Postimi i plotë
Pas ngadalësimit të ekonomisë, Ministrja e Financave e sheh rritjen ekonomike vitin që vjen në 5.9% dhe për tre vitet e ardhshme në 4.9%. Optimizmin kreu i Financave e mbështetet tek rritja e konsumit nga investimet publike. Pas një krize të tillë është normale që të ketë rritje ekonomike por një qeveri e përgjegjshme duhet patjeter ta shohë rritje dyshifrore.
Të thuash që do të rrisësh investimet publike kur të ka mbuluar borxhi me mbi 80%, të thuash që do të kesh investime publike kur në tetë vite të gjitha investimet direkte i ke fokusuar në kontrata afatgjata PPP-sh me kosto të tmerrshme është e pamundur e nuk të beson më njeri.
Modeli i investimit publik kur jep me konçension Milot-Fier që qytetarët e tu të paguajnë 20 euro është vertet model rritje konsumi, por jo që ky konsum të përkthehet në rritje ekonomike por të çojë para në xhepa hajdutësh. Modeli i tarifës në Rrugën e Kombit është vërtet model rritje konsumi pasi qytetarët paguajnë dy herë për të njëtën gjë, blejnë naftën më të shtrenjtë si taksë rruge, paguajnë edhe traun e vënë në rrugë.
Për këtë lloj konsumi dhe rritje ekonomike jeni vërtet mjeshtra. Vetëm lehtësimi fiskal, çlirimi i ekonomisë nga formati monopol, konkurenca e lirë, zgjidhja përfundimtare e problemeve me pronat, reformë e vërtetë e sistemit gjygjësor ku biznesi, si i huaj dhe vendas, mos të ndjejë kurrë presionet e twiterit të KM-s, do bënte që vërtet të kishim rritje ekonomike, rritje pagash dhe pensionesh, rritje mirëqënjeje!