Rritja e rasteve me Covid, Koraqi: Pritej pas rihapjes, e pamundur të zhduket virusi pa një vaksinë

Rritja e ndjeshme e rasteve të reja me Covid-19 në vend, ka rikthyer frikën te qytetarët për një valë të dytë dhe rikthimin e karantinës.

Por për shefin e laboratorit të mikrobiologjisë në QSUT Andi Koraqi, rritja e rasteve ishte diçka e pritshme pas hapjes dhe daljes nga karantina.

Në një intervistë për Ora News, ai nënvizoi faktin se shumica e qytetarëve nuk mbajnë maska dhe nuk po respektojnë masat parandaluese.

Andi Koraqi: ”Për momentin akoma nuk kemi të bëjmë me një situatë kritike për faktin se edhe vetë hapja dhe dalja nga karantina, pritej një numër të shtuar të rasteve. Ndoshta një numër më i madh se çpritej ka ardhur për faktin e mosrespektimit të masave parandaluese dhe distancimit fizik. Mjafton të dalësh në rrugë dhe të shohesh që shumica e qytetarëve nuk mbajnë maska. Edhe në shumë në aktivitete e në qendra të punës është e njëjta situatë. Nuk po mbajnë maska dhe nuk respektohen masat parandaluese për përhapjen e Covid-19.”

Sipas tij, virusi është ende i pranishëm dhe se është e pamundur të zhduket pa pasur ndonjë vaksinë ose mjekim.

Andi Koraqi: ”Nuk do thoja është ulje e vigjilencës por pakujdesi. U mendua që Covid u zhduk sepse maasat shtrënguese bënë të mundur parandalimin dhe mospërhapjen e virusit, si dhe numër të vogël rastesh gjatë periudhës së karantinës. Fakti tregon që ai është ende i pranishëm dhe është e pamundur të zhduket pa pasur një veprim efikas në mënyrë të drejpërdrejtë siç është vaksina ose ndonjë mjekim.”

Gjatë 24 orëve të fundit u regjistruan 69 raste të reja me Covid-19, duke e çuar 1,590 në numrin total të të infektuarve.

SHKARKO APP