
Rritja ekonomike në Shqipëri shënoi nivelin më të lartë në rajon në vitin 2025, me 3.66%. Kjo renditje përmbyset plotësisht nëse hiqet kontributi i taksave neto dhe i administratës publike. Të dhënat u prezantuan nga kryeredaktorja e revistës ekonomike “Monitor”, Ornela Liperi, në konferencën “E ardhmja e ekonomisë”.
Pa këto dy aktivitete, rritja e sektorëve privatë të ekonomisë ishte vetëm 0.85%. Kështu, vendi zbret automatikisht në më të ulëtën në rajon, theksoi Liperi gjatë prezantimit të përpunuar mbi të dhënat e INSTAT-it. Konferenca u organizua nga “Revista Monitor” në bashkëpunim me “Shoqatën e Manifakturës”.
Ajo erdhi pas dy publikimeve të revistës për 200 kompanitë më të mëdha në vend për të ardhurat dhe fitimet, një traditë prej gati dy dekadash. Për herë të parë u prezantua edhe renditja e 50-100 kompanive më të mëdha në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor për vitin 2025. Sipas të dhënave zyrtare të instituteve statistikore përkatëse, pas Shqipërisë renditen Kosova me 3.62%, Maqedonia e Veriut me 3.5% dhe Mali i Zi me 3.3%. Bosnjë-Hercegovina dhe Serbia shënuan një zgjerim më të ulët se 3%, me përkatësisht 2.4 dhe 2%.
