Rritje page, baraz me luftë korrupsionit BERZH: I njëjti efekt në uljen e emigrimit
Një vit më parë, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, në raportin e tranzicionit thoshte se, dëshira e një shqiptari për të emigruar do të ulej ndjeshëm në rast të një rritje të pagës mesatare me 400 dollarë në muaj. Ndërkohë, këtë të Martë, në raportin e ri të sapo publikuar të tranzicionit 2019-2020, Berzh thotë se të njëjtin efekt do të kishte edhe krijimi i besimit në shoqëri se, qeveria është duke e luftuar korrupsionin.
Pra, sipas asaj që thotë Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim në raportin e tranzicionit, për një shqiptar dëshira për t`u larguar nga vendi do të largohej vetëm në rast të rritjes së pagës mujore me 400 dollarë, ose me besimin se qeveria e tij po e lufton korrupsionin. “Me fjalë të tjera, frustrimi nga qeverisja e dobët është shumë më shumë i lidhur me dëshirën për të emigruar në këto vende, se sa në vendet e tjera me nivel të ngjashëm zhvillimi”-thotë raporti mes reshtave.
Sa i përket 6 shtyllave kryesore të tranzicionit, vendi ynë ka bërë progres në 3 prej tyre, krahasuar me një vit më parë, është përkeqësuar në dy prej tyre, dhe në një drejtim nuk ka asnjë ndryshim. Ai i qeverisjes së mirë ka bërë një progres të lehtë krahasuar me një vit më parë. Në këtë drejtim, vendi ynë renditet i katërti në rajon, pas Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, dhe mbi Kosovën e Bosnje Hercegovinën. E njëjta gjë vlen edhe për konkurrueshmërinë, në rritje të lehtë në krahasim me një vit më parë dhe të 4-tit në rajon.