Rrjedhja e votave për Ruçin/ Përse s’bindin justifikimet e PD

Zhurma e të paktën 2 votave të opozitës pro Gramoz Ruçit si kryetar kuvendi i mbytën zërat e ish-të përndjekurve politikë që bërtisnin jashtë parlamentit kundër kurorëzimit në krye të ligjvënësve të ministrit të fundit të brendshëm të kohës së komunizmit.

I shurdhërt mbërriti në publik edhe fjalimi që u mbajti atyre menjëherë më pas Lulzim Basha për “pinjollin e fundit të diktaturës në Ministrinë e Brendshme dhe të Sigurimit të Shtetit”, teksa brenda sallës u numëruan pro Ruçit edhe dy vota të deputetëve të tij.

Dy votat (duke besuar që edhe e vetmja votë e pavlefshme është e opozitës) nuk ishin vendimtare për Ruçin, pasi socialistët i kishin numrat që nevojiteshin. Por ato morën një rëndësi të veçantë, sepse që në seancën e parë, kur pritej një opozitë e fortë dhe kompakte kundër një mazhorance që “u zgjodh me votat e drogës”, treguan në të kundërt një opozitë të çoroditur, me orientim të humbur që prej zgjedhjeve të 25 qershorit.

Swiss Digital Desktop Reklama

Selia e PD u përpoq ta meremetojë rrjedhjen nëpërmjet disa zërave të saj, por justifikimet e nxjerra prej deputetëve Gent Strazimiri, Grida Duma e disa të tjerëve, vetëm sa i aplikfikuan reagimet negative në drejtim të demokratëve.

Swiss Digital Mobile Reklama

Zëdhënësja e grupit parlamentar, Grida Duma, e zhvilloi tezën e Strazimirit, duke sqaruar se PD e dinte më parë që votat do të manipuloheshin dhe kjo qe arsyeja që vendosi të mos kishte antar në komisionin e numërimit.

Rilindja Demokratike, organi zyrtar i PD, mbajti të njëjtën linjë, atë të manipulimit, dhe bashkë me Ramën vuri nën akuzë edhe disa demokratë.

“Nxitimi për të baltosur PD-në, në kushtet e një votimi të fshehtë dhe të mungesës së “provave”, tingëllon më shumë si një diversion ndaj PD-së dhe Lulzim Bashës, diversion i shpërndarë nga mediat dhe amplifikuar nga njerëz me inate të mëdha, që mbetën jashtë listave të PD, për deputetë.
Mjafton një analizë e thjeshtë, që askush deri tani nuk e ka bërë për të mos përjashtuar dhe pse jo, pranuar e pohuar se ato dy vota, nuk janë të PD-së.
Por të kujt janë? Duhet analizuar me kujdes fakti se çfarë ndodhi gjatë votimit. PD kishte deklaruar votën kundër. PD po ashtu nuk caktoi përfaqësuesin e saj në komisionin e numërimit të votave. Ky ka qenë një rreng i vogël politik i PD. Demokratët kanë dashur t’u tregojnë edhe një herë tjetër shqiptarëve se si mund të administrojë një proces të thjeshtë votimi dhe publik Partia Socialiste. Dje u vodh dhe u manipulua edhe rezultati i votave për Ruçin. Kjo i ka interesuar Ramës dhe nuk e ka pasur problem që në një komision të kontrolluar prej tij të shtojë dy vota më shumë për të kaluar barrën e përgjegjësisë me këtë manipulim edhe tek demokratët. Gjithçka ka qenë e qëllimshme për të spostuar vëmendjen e opinionit nga zgjedhja e një xhelati të diktaturës në krye të Parlamentit tek dy votat e opozitës. Dhe në të vërtetë e ka arritur disi Rama. Mediat e kontrolluara prej tij i kushtuan shumë pak rëndësi procesit të administrimit të votave që u bë vetëm nga PS”, 
shkruan RD.

Në faqet zyrtare në facebook të dy demokratëve që folën të parët publikisht për manipulim dhe të disa të tjerëve që i bënë jehonë këtij versioni vërshuan një lumë komentesh. Ndjekës të tyre u kërkuan të verifikonin votat dhe të mos flisnin pa fakte. I kritikuan që qëndruan në sallë. Pjesa më e madhe shfaqën mosbesim në këtë variant.

Vetë Partia Demokratike nuk pati një qëndrim zyrtar për çështjen.

Rrjedhja e dy votave i trazoi edhe njëherë demokratët kritikë ndaj Lulzim Bashës, por të paktë ishin edhe ata mbështetës të tij që përkrahën justifikimet për manipulim të votimit. Votimi ka ngritur shumë pikëpyetje; a e ka Lulzim Basha nën kontroll grupin e tij parlamentar apo dy votat demokrate pro Ruçit janë pjesë e marrëveshjes së tij të fshehtë me Ramën? (lapsi)

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A keni besim se Protesta do ta rrëzojë kryeministrin Rama?