Rrokaj: Udhëheqja s’e ka kuptuar që investimi më fitimprurës është ai në arsim

Deputeti i LSI-së për emisionin 7pa5 në Vizion Plus: Rrogat e mësuesve duhen dyfishuar

Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Shezai Rrokaj i cili vjen nga bota akademike analizon aktualitetin në sistemin arsimor që po kalon sot vendi. Në një intervistë për emisionin “7pa5” në Vizion Plus, Rrokaj thekson se ka një pakësim të numrit të nxënësve, ku siç thotë ai, janë 20 deri në 30 mijë nxënës që ikin, sepse braktisja e vendit nga moshat e reja bashkë me familjet e tyre ka bërë që të largohen.

Sipas tij, niveli i arsimit në Shqipëri vijon ende të jetë në nivele jo pozitive.

I ftuar në 7pa5 deputeti i LSI, Shezai Rrokaj deklaroi se mënyra e vetme për t’i dhënë fund problematikave në arsim është bërja e reformave serioze.

“Rroga e mësuesit në shqipëri duhet të jetë të paktën dyfish me e lartë, mund të marrim shembullin e Filandës, që mësuesit janë të dytët më të paguarit. Vetëm në këtë mënyrë mund të sjellim student të mirë në degën e mësuesë”- thekson Shezai Rrokaj.

Z. Rrokaj në çfarë situate ndodhet arsimi sot?

Natyrisht gjithë këto vite është përpjekur që të bëhen hapa përpara dhe në fushën e teksteve, akomodimit të nxënësve por unë e kam thënë në një shkrim që arsimi vazhdon të shkojë poshtë e më poshtë. Janë ca elemente që spikasim sot në arsim që e kanë shoqëruar këtë tranzicion në Shqipëri, kryesisht me braktisjen. Po të marrim 3 vitet e fundit përfshirë dhe këtë, në 2016 p.sh kishte 536 mijë nxënës në sistemin parauniversitar, në 2017 u pasuan me 22 mijë nxënës, ndër to u regjistruan 5014 në. Në këtë vit u regjistruan 480 mijë nxënës. Do të thotë ka një pakësim, 20 deri në 30 mijë nxënës që ikin sepse braktisja e vendit nga moshat e reja bashkë me familjet e tyre ka bërë që të largohen. Kjo është shoqëruar fillimisht me klasat kolektive dhe pastaj e mbylljen e shkollave. Unë po ju them një statistikë, p.sh shkollat e mbyllura vetëm këtë vit që shkoi afroheshin deri në 150. Nga 37 mijë klasa që mund të ishin në fillim të tranzicionit tani kemi 10 mijë klasa.  Nga 43 mijë mësues tani ka 29 mijë. Pra ka një braktisje të shkollës. Përveç kësaj ka një cilësi shumë të dobët të shkollës me të cilën lidhet formimi i të rinjve dhe pastaj dhe të kategorisë pastaj të kalimit në universitet. Ne nuk po dimë të krijojmë një politikë të orientuar dhe të mirëorientuar në shkollë. Shqipëria vazhdon të jetë vendi që subvencionon arsimin më pak se çdo vend europian. Do të thotë se nëse vendet e rajonit shkojnë 4 deri në 4.5% të PBB për arsimin dhe vendet e OECD shkojnë 5-5.5 pa folur për Finlandën që i referohemi shpesh herë si ai që sa më inferior të jesh aq më lart kërkon të shkosh. Finlanda subvencion 7% të PBB, për arsimin. Ka një mosinteresim real për arsimin nga qeverisja, nga të gjitha qeveritë përfshirë dhe qeverinë Rama sepse ne subvencionojmë vetëm 3% të PBB. Që do të thotë ka më pak fonde për laboratorë, për tekste, për shkolla. Ka më pak fonde për pagat e mësuesve.

Do të ketë rritje pagash dhe pensionesh ka premtuar kryeministri Rama…

Ajo shifër që është premtuar nuk ka asnjë ndikim për mendimin tim. Unë mendoj që pagat e mësuesve duhet të dyfishohen. Po ti referohemi Finlandës, janë nxënësit më të mirë të gjimnazeve që mbarojnë shkollën e mesme.

Kishte një politikë tani që duhet të jetë  mesatarja mbi 7 për ata të cilët shkojnë për mësuesi dhe marrin bursë të plotë dhe mbështetje financiarë për ata që janë më mesatare mbi 9 dhe shkojnë për mësuesi..

Janë gjëra që nuk arrijnë të përmirësojnë gjë, për mendimin tim mësuesit që përgatisin shkollën e cila pastaj shpërndahet në gjitha profilet e formimit, shkolla bazë duhet detyrimisht të ketë mësues të mirë. Dhe mësues të mirë bëhen kur paguhen mirë. Në Finlandë pagat e mësuesve janë në kategorinë e dytë për pagën më të lartë që do të thotë nxënësit dhe studentët interesohen të shkojnë në ato vende që lidhen me jetën e tyre. Dhe aty përfshihen 80% e atyre që mbarojnë maturën shtetërore, më të mirët. Tek ne 20% më të dobëtit. Sigurisht kalimi nga 6 në 7 është shumë i diskutueshëm sepse ne jemi në Shqipëri dhe unë kam bërë një testim duke iu referuar shifrave të ministrisë. Kalimi nga 5 te 6 për pranimin në universitete vetëm rriti fiktivitetin. Dhe fiktiviteti, ta zëmë atëherë kur nuk ishte vendosur kjo notë dysheme për pranimin në universitet, nxënësit e maturës që mbaronin maturën shtetërore nga nota 5 deri në 6 ishin 16% dy vite më vonë shkuan 7.6% pra deri në 4% çdo vit është rritur fiktiviteti. Që do të thotë është ndërhyrë të mësuesi që 5 ta bëjë 6. Dhe është rritur marzhi i notës 7. Do pakësohet 6 do shkojë deri te 7. Nuk është ky problem. Problemi është që duhet të përgatisësh mësuesit. Sot ende kemi shkollën të lidhur me cilësinë e mësuesit dhe duke qenë kështu, mësuesi duhet të jetë i mirëpaguar. Duhet hequr dorë  nga fakti që politika ndikon ende në arsim. Jo vetëm për drejtorët por edhe për marrjen e mësuesve ne e dimë shumë mirë si veprojnë drejtorët e drejtorive me të ashtuquajturit portal. Mësuesit për Shqipërinë janë mësues që duhet të zgjidhen në funksion të universiteteve, në funksion të cilësisë dhe jo në funksion të politikës. Me këtë nuk dua të them se qeverisjet e mëparshme nuk e kanë bërë. Problemi është që ne të  ecim përpara duke përmirësuar në këtë drejtim, unë e them që për mësuesit  duhet jetë e tillë. Ka një problem në fakt se në tekstet shkollore, u vu një reformë tekstore, por një reformë tekstore që ende vazhdon të ketë informacion. Pra, tekstet të jetë të mbingarkuar me informacion të vjetruar dhe ka shumë përsëritje saqë lodhen nxënësit duke mësuar gjëra që si të thuash ata nëpërmjet internetit kanë shkuar më përpara se sa vetë pritshmëritë e teksteve. Kështu që, duhet lehtësuar dhe duhen bërë sa më dinamike tekstet shkollore në mënyrë që ata t`i përgjigjen realisht nivelit që kanë.

Ju përmendët rastin e Finlandës në fakt sa i përket pagave. Një tjetër rast është ai i Zvicrës, ku unë kam pyetur dhe fillonin nga 8000 euro pagat e mësuesve deri në 22000 euro muaji. 8000 euro sigurisht llogaritej ai që jep mësim në çerdhe sepse edhe ata konsiderohen pjesë e sistemit, ndërsa 22000 euro për profesorët. Duket sikur jemi shumë larg pavarësisht se Zvicra ka tjetër nivel jetese. Ndërsa për sa i përket teksteve, festa e Halloëeen-it ishte përfshirë në tekstet shqiptare pavarësisht se nuk është një festë shqiptare. Përkonte pikërisht në ditën kur ishte festa, ku duket që ka një programim.

Po, gjëra të tilla le të programohen edhe në kurrikulat shkollore. Nuk ka ndonjë gjë.

Duhet të promovojmë ato festa shqiptare të përfshira në tekste?

Patjetër. Kjo është gjëja kryesore. Unë them që dhe insistoj në atë që paga rrit interesin për cilësinë e punës. Unë e di që Shqipëria ka probleme, sepse të gjitha kategoritë e profesioneve kërkojnë rritje pagash, por një parim është i qartë. Ky parim është që Shqipëria dhe udhëheqjet nuk kanë kuptuar që investimi më fitimprurës është ai në arsim sepse sa më shumë të mençurohen individët, aq më shumë kursehet nga shpenzime të panevojshme. Kjo do të thotë që një njeri i mençur nuk bën shumë gabime, qoftë edhe në menaxhimin e lekut dhe ky është një parim universal i gjithëpranuar dhe mua më vjen keq që në strategjinë  e arsimit parauniversitar në 2014-ën, në atë kohë ishim dhe ne në qeverisje, u programua që buxheti për arsimin do shkonte në 5% të PBB. Çfarë shikojmë? Do rritet shumë pak, flitet edhe buxheti në 2019, gati 0.1 apo 0.2% më shumë se viti i kaluar, por që nuk është tregues. Por edhe në universitet ka nevojë të ndërhyhet. Ligji për arsimin e lartë krijoi shumë problematika me të ashtuquajturat organe akademike dhe organe menaxheriale midis rektorit, autoriteteve akademike dhe autoriteteve menaxheriale, rektorë-administratorë. Ka probleme shumë të mëdha sepse u mbingarkua me zgjedhjen e shumë vendimeve të Këshillit të Ministrave, gjë që vetë aktet nënligjore nuk janë realizuar.  Plus që pati një ndërhyrje për ta orientuar, sidomos për ato të ashtuquajtura  universitetet publike, të pavarura që është një koncept i sajuar.

Autonomia në universitete?

Nuk ka fare lidhje me autonominë, ajo ka të bëjë me faktin që të kenë të drejtën për të marrë fonde publike, të drejta buxhetore, jo publik, se fondet publike janë pak më gjera. Unë jam edhe për këtë që shteti duhet të ndihmojë dhe të ndjekë politika favorizuese edhe ndaj universiteteve private. Por me buxhetet që kanë aktualisht, për universitetet publike është krejt e pamundur që të alokosh buxhete dhe për universitetet private, por për kërkimet shkencor, të drejtat për sa i përket tarifave e kështu, pati një problem ligji dhe  vazhdon problemi i financimit dhe për universitetet. Vazhdojnë universitetet të mos kenë akoma shkollën doktorale, që u bë gati 5 vjet dhe çfarë universiteti është ai që nuk ka shkollë doktorale? Shkolla doktorale është një nga ato ciklet e asaj që quhet sistem edukimi, pra cikli sistemit parauniversitar, universitar dhe postuniversitar.

Profesor, plagjiatura është një tjetër problem. Pak ditë më parë u akuzua ish zëvendësministri i Arsimit, ku më pas është detyruar të jepte dorëheqjen. Por a kemi ne mekanizma për ta kontrolluar dhe për të marrë masa ndaj atyre personave që ende aplikojnë plagjiaturë?

Shiko, unë nuk dua të merrem me emra të përveçëm, janë persona që i njohim dhe nuk dimë saktësisht, është bërë publike një fakt, por nuk dimë në ç’masë, si, qysh, pra nuk kemi publikisht një informacion më të gjerë dhe unë në kësi rastesh rezervohem të flas, aq më tepër për njerëz që kanë ndjeshmëritë e tyre. Por ajo që është e vërtetë, është që plagjiatura është një problemi madh i shqiptarëve dhe jo vetëm. Me raste plagjiature janë kapur që nga Gjermania.

Po kanë dhënë dorëheqjen..

Sigurisht. Edhe këtu për plagjiaturë u dha dorëheqje. U bë akti etik i largimit dhe kjo në pikëpamje etike është një shenjë e mire, por problemi mbetet në kuptimin që plagjiatura ende nuk ka asnjë mekanizëm të qartë për përcaktimin  e saj, diagnostikimin, kapjen. Pra, nuk janë bërë investime në atë që quhet softëare të tillë, që janë të lidhur me të gjitha rrjetet e informacionit të dedikuar dhe në momentin që ti fut tekstin tënd, monografinë tënde në doktoratë, aty tregon menjëherë se sa kompatibël është teksti yt me tekstet e tjera të së njëjtës fushë. Jemi vonë, duhet bërë, duhet ngritur ky softëare. Unë  e kam dëgjuar zëvendësministrin e ri të Arsimit, ka shumë pasion në këtë drejtim dhe duhet inkurajuar për të ecur të gjithë bashkë në një drejtim. Ka ardhur koha që edhe ne ta bëjmë, por unë dua të them këtë që të heqim dorë nga ato që quhen ta themi  vrulle revolucionare. Pra, nuk bëhen këto punë as me slogane, sepse tipari i kësaj qeverie është që përfshihet në slogane dhe improvizime që nuk ngelen, siç ngrihen ashtu edhe ikin.

SHKARKO APP