“Rruga e hebrenjve”, zona monument kulture në rrëmujë urbane
Edhe pse monument kulture që prej vitit 1992, rruga e Hebrenjve në Vlorë ngjan më shumë me një xhungël urbane, sesa me një zonë që mbrohet nga shteti. Banorët në mungesë të kontrollit shtetëror, kanë kryer jo vetëm meremetime të fasadave jashtë kritereve, por edhe shtesa në banesa. Në kompleks mbizotëron stili pseudo-eklektik, për shkak të ndërhyrjeve në kohë të ndryshme.
Në hyrje të kësaj rruge, në bronx derdhet mbishkrimi ” Monument Kulture” por vec kësaj pllakate asgjë tjetër nuk të jep përshtypjen se kjo rrugë në zemër të Vlorës së vjetër mbrohet nga shteti.
Këto pamje i përkasin rrugës së “Hebrenjve” i konsideruar monument kulture që në vitin 1992 dhe i marrë në mbrojtje nga shteti në vitin 2006. Ka marrë këtë emër për shkak se aty kanë jetuar familje hebreje, në vitet 40, familje që edhe pse janë larguar ruajnë nostalgjinë për rrugën e tyre.
Banor: Këtu kanë jetuar ata cifutët, hebrenjtë dhe në kohët e demokracisë janë larguar nga këtu. Kanë kaluar shumë mirë dhe ne kemi kaluar shumë mirë. Kur vijnë, na takojnë me kënaqësi e mall.
Kompleksi i ndërtesave ku jeton komuniteti përbëhet nga 20 apartamente, në një rrugë të gjatë 46m dhe 4.5m të gjerë. Rruga dikur ishte shtruar me gurë. Rruga e Hebrenjve prej vitesh nuk është restauruar. Banorët shpresojnë në projektin që ka lancuar së fundmi kryeministri Rama, për restuarimin e të gjithe qendrës historike përfshirë edhe këtë rrugë.
Banor: Ka kohë që nuk ndërhyn askush. As asfalt, asgjë nuk është kryer këtu.
Banor: Ka 70 vjet që kjo rrugë është bërë. Nuk është vënë dorë.
Projekti pritet të nisë shpejt, por duket tejet e vështirë rikthimi i godinave në strukturën bazë, pasi në shumë prej tyre banorët kanë ndërhyrë me shtesa dhe mermetime duke tjetërsuar tërësisht fasadat e mbrojtura nga shteti.

