Rruga Qukës–Qafë Plloçë, pamje fantastike dhe investim strategjik
Rruga Qukës–Qafë Plloçë, e njohur si një nga aksit më të rëndësishëm lidhës mes Librazhdit dhe Pogradecit, shtrihet në një zonë të thyer malore e me pamje panoramike mbresëlënëse. Ajo ndjek kreshtat dhe shpatet e maleve të thepisura, ndërsa në disa pika ofron një horizont të gjerë që kap lugina të thella, pyje të dendur dhe majat që rrethojnë zonën.
Një prej pamjeve më të veçanta panoramike të kësaj rruge është pikërisht në segmentet ku ajo ngjitet drejt Qafë Plloçës: nga aty shfaqet poshtë lugina e Shkumbinit, kurse më larg shihen siluetat e maleve të Mokrrës e deri në vijën e liqenit të Pogradecit. Kthesat e shumta e bëjnë rrugën sfiduese, por njëkohësisht ofrojnë peizazhe që ndërthurrin bukurinë natyrore me punën inxhinierike të ndërtimit të këtij aksi strategjik.
Rruga Qukës–Qafë Plloçë, e parashikuar prej më shumë se një dekade si një korridor jetik për të lidhur Shqipërinë e Mesme me Korçën dhe Pogradecin, vijon të mbetet një prej veprave më problematike të infrastrukturës shqiptare. Ky segment, me gjatësi rreth 43 kilometra, do të shkurtonte ndjeshëm distancën Tiranë–Korçë dhe do të lehtësonte lëvizjen e mallrave dhe njerëzve drejt kufirit me Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë.
Rëndësia strategjike
Ky aks nuk është thjesht një rrugë provinciale. Ai ka rëndësi strategjike pasi: krijon një korridor më të shpejtë për transportin drejt Korçës, Pogradecit dhe doganës së Kapshticës; lidh Shqipërinë e Mesme me zonat turistike të juglindjes, veçanërisht me Liqenin e Ohrit dhe Dardhën; ul kostot e transportit për bizneset dhe fermerët që eksportojnë prodhime bujqësore në tregjet e rajonit.
Rruga Qukës–Qafë Plloçë është më shumë sesa një projekt infrastrukture: ajo është një test i qeverive për seriozitetin në përmbushjen e angazhimeve publike.
KOHA JONË SONDAZH

