Rrugaçëri apo platformë? Të pathënat e vendimit të qeverisë për TikTok-un
Zyrat qendrore të kompanisë TikTok janë në Singapor, por në shumë vende të botës, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë ngritur dyshime për ndërhyrjen e qeverisë kineze në të dhënat e kësaj platforme, duke ngritur shqetësimin e cenimit të sigurisë kombëtare. Por, a lidhet kjo vendimmarrje e qeverisë shqiptare me këtë arsye, ku masat shtrënguese iu vunë TikTok-ut, në pronësi kineze, e jo Snapchat-it që është kompani amerikane?
Arsye apo jo gjeopolitike, pak rëndësi ka për mjedisin politik shqiptar, ku përfaqësuesit e opozitës e cilësuan këtë vendimmarrje të qeverisë si cenim të lirisë së fjalës, duke bërë edhe një premtim elektoral. “Do të hapim TikTok-un pas zgjedhjeve”, tha Sali Berisha, kreu i Partisë Demokratike.
Leximi i PD shoqërohet me argumentin se të dhënat e ekspertëve të rrjeteve sociale, e nxjerrin qeverinë më pak të preferuar në këtë platformë dhe vendimmarrja ka qëllime të pastra politike për të afektuar zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 11 majit. Nëse vendimmarrja politike për të mbyllur TikTok-un kërkoi rreth 4 javë nga nisja e konsultimeve, bërja e tij fakt kërkon së paku dyfishin e kohës, kjo për shkak se implikimi teknologjik është tejet i madh. Për këto sfida teknologjie është në dijeni edhe opozita, ku elementët e rinj të saj kanë një lexim tjetër se përse kryeministri Edi Rama doli në këtë vendimmarrje.
“E bën për moshën e tretë, pasi të rinjtë e gjejnë mënyrën për të aksesuar këtë platformë”, shprehet Endri Shabani. “Rrugaçëri” ishte termi i përdorur gjerësisht nga qeveria për të përshkuar këtë platformë, por për partitë e reja që janë të lidhura me TikTok, element të tillë janë promovuar nga vetë socialistët.
Debati për TikTok-un sigurisht që nuk do të përfundojë kaq shpejt dhe ndalimi i tij krahas debatit publik do të shoqërojë të gjithë artikulimin politik të partive, sidomos atyre opozitare, ku këtë platformë e kishin të preferuarën e tyre dhe duket si një ushqim shumë i mirë për të mbajtur gjallë konfliktin politik në vend.