Rrugaçët e stadiumeve !

 

Mbyllet në mënyrën më të keqe të mundshme aventura e ekipit të futbollit të Kukësit në Europë. Ndeshja me ekipin polak Legia të Varshavës është nderprerë e më pas arbitri i huaj vendosi të mos vazhdonte më ndeshja sepse tifozët hodhën sende e shishe dhe goditën një lojtar polak. Asistenti i gjyqtarit kryesor, Stephan Klossner, raportoi për një gur të hedhur në fushë, që goditi një prej lojtarëve polakë. Trajneri i ekipit polak, Henning Berg tërhoqi skuadrën nga fusha e lojës dhe më pas gjyqtari Stephan Klossner vendosi ndërprerjen e përkohshme të ndeshjes. Pas konsultimit mes gjyqtarit zviceran dhe lojtarëve që përfaqësonin dy klubet, shefi i sigurisë së UEFA-s vendosi që ndeshja të ndërpritej përfundimisht. Kukësi këmbënguli deri në fund, duke kërkuar që tifozët të largohen nga stadiumi me qëllim që ndeshja të vazhdojë. Por përfaqësuesi i Legias i kërkon delegatit të UEFA-s që të mos vazhdojë më ndeshja me situatën e krijuar. Sipas tij, futbollisti i goditur, Ondrej Duda nuk ishte më në gjendje të vazhdojë më tej lojën. Në ndeshjen e mbrëmshme në “Qemal Stafa” ishin të pranishëm rreth  250 tifozë polakë që kishin ardhur për të përkrahur skuadrën e Legias dhe mbi 6 mijë tifozë të Kukësit. Incidente mes tifozëve pati edhe para takimit. Në qendër të Tiranës pati përleshje mes tifozëve të Kukësit dhe atyre polakë. Me ngjarjen e djeshme, Kukësi tashmë do të përballet me sanksione të rrepta nga UEFA. Përveç gjobës dhe rezultatit 3-0 në tavolinë për miqtë, nuk përjashtohet mundësia që Kukësi të pezullohet nga kompeticionet europiane. UEFA është e rreptë, sidomos me shqiptarët dhe me ekipet pa përvojë në Kupat e Europës. Kësisoj, ëndërra e Kukësit për të prekur fazën e grupeve të Europa League është rrëzuar në tokë nga një gur i hedhur nga një apo disa tifozë. Humbja do të ishte fitore për ekipin nënkampion të Shqipërisë, nëse do të mbyllej qoftë me shifrat 1-2, apo me çdo rezultat tjetër. Huliganizmi ndëshkoi në këtë mënyrë ëndrrën e një qyteti dhe gjithë punën e një ekipi, si dhe investimet kolosale të presidentit Gjici për të patur sukses në Europë.

Incidentet e djeshme janë një kthim prapa në kohë i vet futbollit shqiptar. Rrahje dhe sjellje ordinere në rrugë janë model i ndeshjeve të kategorisë së tretë dhe nuk i shkojnë një ekipi që garon me skuadrat e njohura të Europës. Nuk mundet tifozët e një ekipi të tillë të bien në nivelin e ndeshjes Laçi-Mamurrasi apo Tepelena-Ballshi, ku në mënyrë sistematike ka skena të tilla të shëmtuara. Nëse duam të shkojmë në kampionatet e Europës me një tifozeri dhe mendësi të tillë, sado ekipe të mira të kemi, dështimin e kemi të garantuar. Sigurisht, sjellja e disa tifozëve nuk përfaqëson gjithë sportdashësit dhe aq më pak një qytet, por mjafton për të rrëzuar çdo projekt sportiv.  

Shfaqja e shëmtuar e djeshme është dhe një mesazh i keq që u jepet biznesmenëve që kanë hyrë në botën e sportit. Safet Gjici është një prej sipërmarrësve që ka investuar në ekipin e Kukësit mjaft të ardhura financiare. E mori ekipin nga kategoritë inferiore, vetëm falë investimit dhe ambicies së tij, e futi në kategorinë e emrave të mëdhenj të futbollit shqiptar. Një investim i tillë në lekë, kohë dhe emër shkatërrohet  në një ditë vetëm nga papërgjegjshmëria e disa tifozëve. Dëmi nuk është vetëm tek ekipi i Kukësit, por tek gjithë ekipet shqiptarë dhe njerëzit që kanë investuar për të pasur një futboll më bashkëkohor në Shqipëri.

Pezullimi i ndeshjes nxjerr dhe një tjetër problem. Kombëtarja jonë ka gati një vit që ankohet në gjykatat e arbitrazhit të futbollit për dhunën e ushtruar në ndeshjen me Serbinë. Sot, tifozeria jonë nuk mund të sillet në të njëjtën mënyrë brutale siç u sollën serbët me ne në Beograd. E para, sepse në sytë e institucioneve ndërkombëtare të futbollit bëhemi të pabesueshëm. Që pas ndeshjes në Beograd, Shqipëria shihet më vëmendje nga institucionet e disiplinës në UEFA. E dyta, nuk mund të jemi njëlloj si ata të cilët kemi një vit që i quajmë huliganë të papërgjegjshëm.

Së fundi, penalizmi i djeshëm është një minus jo thjesht për Kukësin, por për futbollin shqiptar. Para na presin disa ndeshje të rëndësishme të ekipit kombëtar dhe ekipeve tona më të mira. Dje i vumë një njollë futbollit duke ndëshkuar fushën tonë. Është koha që federata dhe institucionet e tjera përgjegjëse të marrin masa që huliganizmi të mos shkatërrojë futbollin në ndeshjet e tjera. 

Edhe një problem tjetër doli nga dje se masat e organizimit nga ato që duhej të siguronin rendin dhe ndeshjen,ishin jashtëzakonisht inekzistente. Në vend që të tifozët polakë të liheshin nën masa të rrepta sigurie, pasi ato dihen se janë problematikë, ishin lënë pa asnjë forcë të specializuar policie.

Dje humbi Kukësi, por dhe futbolli shqiptar , për faj të një grupi rrugaçësh që ishin në stadium.

SHKARKO APP