Rrugët e vdekjes në Shqipëri
Nga: Redjon Shtylla
Kush mban përgjegjësi për humbjen e jetës së 151 qytetarëve nga aksidentet në rrugë? Kjo shifër e firkshme është për një periudhë 9-mujore. Instituti i Statistikave raporton për 1024 aksidente të ndodhura në periudhën Janar-Shtator të këtij viti, një rritje prej 13.4% me të njëjtën periudhë të 2020-ës.
Vetëm në 8 muaj, Policia Rrugore ka vënë mbi 3.1 milionë masa administrative. Duke e marrë në rrafshin e 9 muajve, aksidentet u rritën me 9.4 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Për ekspertët e sigurisë rrugore, përgjegjësia më e madhe bie mbi drejtuesit e automjeteve.
Rrugët janë kthyer në një makth. Fatkeqësisht, pas çdo aksidenti tragjik, qeveria rrit gjobat, por jo sigurinë. Rritet vëmendja dhe bëhen emisione televizive, flasin ekspertë, por sërish shoferët nuk ndërgjegjësohen që të qarkullojnë sipas rregullave. Pse rrugët tona përgjaken çdo ditë? Mungesë sinjalistike, rrethrrotullime të papritura, rrugë pa ndriçim, mbikalime të rrezikshme dhe mbi 64 pika të zeza, janë disa nga shkaqet. Aksidentet rrugore vrasin 5 herë më shumë se krimi, këtë e ka thënë ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj.
Autostrada Tiranë-Elbasan dhe kalvari i gjatë i zvarritjeve, mungesa e sinjalistikës dhe devijimet në rrugë jo pak herë janë kthyer në burim i vazhdueshëm aksidenti. Eurostat thekson se rrjeti rrugor shqiptar (pa përfshirë autostradat) është më i shkurtri në rajon.
Qeveria mbledh taksa që duhet të përdoren për përmirësimin e sigurisë rrugore por publiku nuk ka informacione. Prej gati 4 vitesh në Kuvend ka zënë pluhur draftligji i cilësuar si “vrasja rrugore”, por as për këtë propozim qeveria nuk ka gjetur kohë. Kjo pasiguri e rrugëve është e njohur edhe nga Europa. Gjermania është skeptike për njohjen e patentave pasi shprehen se duhen masa të tjera për të përmirësuar sigurinë rrugore.
Në Europë, Shqipëria renditet ndër vendet me normat më të larta të aksidenteve fatale. Për ekspertët është koha që të mblidhet komiteti ndërministror për sigurinë rrugore dhe premtimi i Rilindjes për ta ndryshuar pasigurinë në rrugët e vendit nuk u përmbush, pasi ende sot rrugët janë një rrezik i madh për jetën e gjithësecilit prej nesh.