Rrugët e vdekjes, por deri kur?
Policia Rrugore ka futur në veprim makinën inteligjente për të ndëshkuar shioferët
Nga: Redjon Shtylla
Rrugët janë kthyer në një makth. Fatkeqësisht, pas çdo aksidenti tragjik, policia rrit gjobat, por jo sigurinë. Rritet vëmendja dhe bëhen emisione televizive, flasin ekspertë, por sërish shoferët nuk ndërgjegjësohen. Pse rrugët tona përgjaken çdo ditë, dhe deri kur do të kalojnë këmbësorët të qetë? Ajas Sulejmeni, 39-vjeçari që aksidentoi ditën e dielë çiftin me fëmijën e tyre tre muajsh, ka rikthyer edhe njëherë diskutimet për sigurinë në rrugë.
Pavarësisht se kontrollet nga policia janë shtuar, sërish aksidentet vijojnë. Mamir Hodo, ekspert i sigurisë rrugore, thotë për rastin në ”Rrugën e Kavajës”, se drejtuesi i makinës ka parë këmbësorët në një distancë rreth 7-9 larg dhe ka frenuar vetëm në momentin kur ka qenë mbi vijat e bardha.
Për 39-vjeçarin organet e Policisë kanë dhënë 1 mln lekë dhe heqje patente për dy vite. Por Sulejmeni ka deklaruar se nuk është dakord me konstatimin e policisë që renditi si shkelje: shkelje semafori, aksidentim të kembësorëve, mosdhënie ndihme për të aksidentuarit, largim nga vendi i aksidentit pa njoftuar organet kompetente dhe drejtim mjeti nën efektin e narkotikëve.
Policia Rrugore ka futur në veprim makinën inteligjente, për të evidentuar dhe ndëshkuar drejtuesit e mjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor. Ata që qarkullojnë me shpejtësi tej normave të lejuara, ata që përdorin aparatin celular apo nuk vendosin rripin e sigurimit, gjatë drejtimit të mjetit.
Në Europë, Shqipëria renditet ndër vendet me normat më të larta të aksidenteve fatale. Për ekspertët është koha që të mblidhet komiteti ndërministror për sigurinë rrugore dhe premtimi i Rilindjes për ta ndryshuar pasigurinë në rrugët e vendit nuk u përmbush, pasi ende sot rrugët janë një rrezik i madh për jetën e gjithësecilit prej nesh.