Rrugëtimi i shqiptarëve të Çamërisë drejt Shqipërisë

Disa përdorin fjalën eksod, disa të tjerë gjenocid, por ata fëmijë që ende i ndjejnë vragat e dëbimit të tyre nga shtëpitë e një masakër që është kthyer tanimë në një vuajtje me të cilën do të duhet të jetojnë. Mes imazheve të ekspozuara në kalanë e Tiranë për 80-vjetorin e gjenocidit grek ndaj popullsisë çame dhimbja që mbartin sytë e fëmijëve të ngelur rrugëve, dëbuar nga shtëpitë e tyre është më pushtuesja.

Hajredin Isufi atë ditë të vitit 1944 ishte 10 vjeç, por tani 90, si historian mbart të njëjtën dhimbje. “Nuk ka mbetur familje pa pasur një dhimbje”. Emigrimi i shqiptarëve të Çamërisë ishte një dramë e vërtetë. Ne ishim tre fëmijë rrugëve. Nga tronditja humbën një moment vëllanë. Fatmirësisht e gjetëm gjatë rrugës për në Shqipëri. Kemi fjetur për ditë të tëra pa ngrënë derisa erdhëm në Shqipëri”, tha Hajredin Isufi, historian.

“Çamët vuajtën tmerrin e deportimit dhe shpërnguljes me dhunë dhe kanë gjetur forcën për të mbijetuar. Ky ishte një krim i shfarosjes në masë, ishte diçka që nuk duhej të ndodhte, me të cilin nuk mund të pajtohesh, dhe mbi të cilin nuk mund të heshtet. Gjenocidi ndaj çamëve, edhe pse është denoncuar disa herë nga instanca të ndryshme, nuk është përballur asnjëherë me drejtësinë, me asnjë gjykatë apo forum juridik. Çështja çame ka nevojë për një zhvendosje në binarët e duhur nga politika greke. Ajo është ideologji për çdo shqiptar”, tha historiani Pëllumb xhufi.

Mes imazheve të asaj kohe, në këtë ekspozitë gjenden edhe disa prej rrëfimeve e dokumente që kuratorja Admirina Peçi i sheh si dëshmi që do mbijetojnë në arkiva edhe kur dëshmitarët e këtij gjenocidi të mos jenë aty për të rrëfyer, siç historiani Hajredin Isufi rrëfen sot. “Nëpër këto foto bardhezi, disa prej tyre të papublikuara më parë, ndihet tensioni dhe dhimbja e një epoke të ngarkuar. Janë portrete fëmijësh, grash e burrash, që mbartin dhimbje. Por jo vetëm dhimbje, ka edhe shpresë në portretet e tyre”, tha Admirina Peçi, kuratore e ekspozitës.

Vetë drejtuesi i fondacionit Hasan Tahsin, Alket Veliu e rrëfen ekspozitën si aktakuzën e një panorame të tmerrshme të së shkuarës, që nuk duhet përsëritur. “Fryma e kësaj ekspozite në 80 vjetorin e gjenocidit dhe mesazhi që përcjell është një dhe i vetëm: Drejtësi për Çamërinë! Çështja çame është një e drejtë ndërkombëtare. Këto fotografi nuk janë stoli, por aktakuza, që na japin një panoramë të tmerrshme të asaj që ka ndodhur. Genocidi ndaj Çamërisë është një prej plagëve më të mëdha kundër njerëzimit në histori. Çamët u vranë, u masakruan dhe u shkulën nga rrënjët, vetëm se ishin shqiptarë, se nuk ishin në harmoni me “Megali idenë” shoviniste greke”, tha Alket Veliu, Fondacioni Çamëria. Ekspozita, fatkeqësisht, përmban vetëm fotografi të kohës kur shqiptarët e Çamërisë mbërritën në Shqipëri pas dëbimit nga shtëpitë e tyre. /A2cnn/

SHKARKO APP