RTSH në kolaps financiar, Eni Vasili kërkon auditim ndër vite të financave
RTSH asnjëherë nuk u bë radiotelevizion publik. Pati një fillesë të mbarë me Thoma Gëllçin, por nuk e lanë konkurentët, të cilët e futen edhe në burg! Çdo herë tjetër në këto 35 vite pluralizëm RTSH u përdor si vend pune për njerëzit e pushtetit të radhës. Të mos harrojmë se RTSH ka afro 1000 punonjës. Dhe të gjithë paguhen nga taksat e qytetarëve si dhe nga buxheti i shtetit.
Ndërkohë, ndër vite, ky institucion publik mediatik ka mbetur vendnumëro në raport me të vertetën që i duhet publikut. RTSH ka patur arkivën e krejt shtetit në sensin e kengëve, muzikës, filmave, dokumentarëve, etj, arkiv e cila është vjedhur nga konkurentët radiotelevizivë.
Mësohet se disa drejtues ishin emëruar në krye të RTSH, jo për ti shërbyer publikut, por konkurentëve privatë. Flitet edhe se janë pagura nën dorë nga privati.
Sot Radio Televizioni Shqiptar ndodhet në një krizë të thellë financiare. Drejtoresha e përgjithshme e institucionit, Eni Vasili, i është drejtuar zyrtarisht Ministrit të Financave, Petrit Malaj, me një kërkesë për mbështetje shtesë prej 200 milionë lekësh nga Buxheti i Shtetit, duke theksuar se RTSH është në “një situatë të vështirë për të përmbushur detyrimet”.
Sipas Vasilit, problemet financiare lidhen me disa faktorë: tarifën e ulët të pajisjes televizive, mungesën e një financimi të plotë nga buxheti për prodhimet që ai vetë financon, si dhe detyrimet e papaguara për të drejtat televizive dhe sportive, të kontraktuara ndër vite.
Në dokumentin zyrtar, drejtoresha e RTSH-së zbulon se nga korriku i vitit të kaluar, institucioni ka shpenzuar mbi 326 milionë lekë për vendime gjyqësore të humbura ndaj ish-punonjësve të larguar padrejtësisht ose të aksidentuar në punë gjatë periudhës 2021–2024, si pasojë e ndryshimeve të shpeshta në drejtim.
Vasili kërkon që fondi shtesë të përdoret për prodhime filmike dhe artistike me rëndësi ndërkombëtare, për mbështetjen e Orkestrës Simfonike dhe Kinematografisë, si dhe për projekte teknike në funksion të futjes së teknologjive të reja.
Megjithatë, ajo paralajmëron se para çdo ndërhyrjeje financiare, do të kërkojë një auditim të thelluar të strukturës dhe projekteve të RTSH-së, për të zbuluar mënyrën se si janë përdorur fondet publike ndër vite.
KOHA JONË SONDAZH

