Ruç uron homologun islandez për Festën Kombëtare të Islandës: Ju ftoj për vizitë në Shqipëri
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i ka dërguar një letër urimi Presidentit të Parlamentit të Islandës, z. Steingrímur J. Sigfússon, me rastin e Festës Kombëtare, themelimit të Republikës.
“Me rastin e 17 Qershorit, Festës Kombëtare të Islandës, Ju dërgoj urimet më të mira për popullin islandez, Parlamentin dhe Ju personalisht.
Dita Kombëtare e Islandës, e cila kremton themelimin e Republikës së Islandës, 76 vjet më parë, më 17 qershor 1944, është një ngjarje e madhe historike për kombin, sistemin demokratik, emancipimin politik e shoqëror të Islandës si edhe mirëqenien e popullit islandez.
Republika e Shqipërisë dhe Republika e Islandës kanë marrëdhënie shumë të mira dhe unë shpresoj që bashkëpunimi midis dy vendeve tona të njohë zhvillime të reja në të ardhmen. Marrëveshja për mënjanimin e taksimit të dyfishtë, e cila u nënshkrua në shtator të vitit 2014, është një hap i rëndësishëm në zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh.
Shqipëria i është mirënjohëse Islandës për mbështjen pa rezerva të anëtarësimit në NATO dhe bashkëpunimin e mëtejshëm në kuadrin e kësaj Organizate.
Gjatë muajve të fundit Islanda, ashtu si edhe Shqipëria e gjithë njerëzimi, vuajti pasojat e pandemisë, të cilat, fatmirësisht për dy vendet tona nuk ishin shumë të rënda. Shqipëria dhe Islanda po dalin nga situata e pandemisë dhe këtë shpresojmë edhe për vendet e tjera, duke uruar që njerëzimi t’i kthehet gradualisht normalitetit.
Shpreh bindjen në nisjen e një bashkëpunimi të frytshëm midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Parlamentit të Islandës dhe përfitoj nga ky rast për t’Ju ftuar për një vizitë zyrtare në Shqipëri, në një kohë sa më të afërt dhe në përputhje me agjendën Tuaj.”, shkruan Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, në urimin dërguar Presidentit të Parlamentit të Islandës, z. Steingrímur J. Sigfússon, me rastin e Festës Kombëtare.