Ruçi jep urdhrat, masat strikte për seancën e 16 prillit

Në seancën e radhës që do të mbahet me 16 prill, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë pritet të kalojë një sërë ligjesh, duke nisur nga ashpërsimi i Kodit Penal për të gjithë ata persona që thyejnë karantinën, sanksionet e reja për dhunën në familje dhe disa çështje të tjera si paketa anti-KÇK dhe ligji i pronave, ligje dhe akte këto, të cilat janë kthyer për rishqyrtim në Kuvend nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.

Kjo seancë do të zhvillohet në masa strikte, ku deputetët do të detyrohen të masin temperaturën, të vendosin maska dhe doreza, e gjithë kjo në kuadër të masave mbrojtëse kundër COVID-19. Kuvendi i Shqipërisë në faqen e tij zyrtare ka shpalosur të gjitha masat, që duhet të ndërmerren para se deputetët t’i drejtohen seancës së të enjtes.

“Sot më datë 14 prill 2020, ora 10:00, u mblodh Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, për të shqyrtuar projektvendimin “Për disa shtesa në vendimin nr. 166, datë 16.12.2004 “Rregullorja e Kuvendit të Shqipërisë, të ndryshuar”, nismë e Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi. Mbledhja u zhvillua online, me anë të mjeteve të komunikimit elektronik Cisco Webex të instaluar në Kuvend.Në fillim të mbledhjes, Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, informoi anëtarët e Këshillit se “Komisionet e përhershme parlamentare po funksionojnë online dhe po shqyrtojnë aktet ligjore që janë në rendin e ditës së seancës së ardhshme plenare. Edhe pse në kushte jo të zakonshme, puna e komisioneve ka qenë produktive dhe debati parlamentar nuk ka munguar. Projektvendimi i miratuar shton në Rregullore disa nene të veçanta për rastet e masave të jashtëzakonshme, duke parashikuar zhvillimin e mbledhjeve të Kuvendit dhe të organeve të tij në distancë, nëpërmjet mjeteve elektronike të komunikimit si edhe me numër të reduktuar të deputetëve dhe përcakton procedurat e votimit në këto raste”, njofton Kuvendi.

Kryetari i Kuvendit tërhoqi vëmendjen për disa aspekte proceduriale të zhvillimit të seancës plenare të datës 16 prill, si kufizimin e kohës dhe numrit të diskutimeve dhe mënyrën e votimit. Për të shmangur mbipopullimin e sallës së seancës, procesi i votimit të akteve ligjore në seancën e datës 16 prill do të zhvillohet nominal dhe me fletë votimi.

SHKARKO APP