Ruçi pret ambasadorin e Serbisë: Bashkëpunim për një agjendë konkrete të shkëmbimeve të ndryshme

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, priti Ambasadorin e Republikës së Serbisë Miroljub Zarić, me rastin e përfundimit të misionit të tij në Shqipëri.

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, vlerësoi kontributin e Ambasadorit Zarić, si një nga diplomatët më jetëgjatë në trupën e huaj diplomatike në Tiranë, vitet e fundit edhe Dekan i saj, në zgjerimin dhe forcimin e bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Serbisë.

“Marrëdhëniet midis të dy vendeve janë pasuruar me zhvillime të reja, falë vendosmërisë sonë për t’i shërbyer bashkëpunimit dypalësh dhe atij rajonal, si dhe përforcimit të sinergjive për evropianizimin e rajonit. Ne dëshirojmë dhe po punojmë që tendenca e krijuar nga takimet Rama-Vučić gjatë viteve 2014-2015 të ruhet dhe të zhvillohet më tej, në dimensione të tjera të dobishme dhe në favor të avancimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe kontributit të vendeve tona në zhvillimin dhe stabilitetin në rajon.”, nënvizoi Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi.

Ambasadori Zarić vlerësoi kontributin e Kuvendit të Shqipërisë në fuqizimin e bashkëunimit midis të dy vendeve dhe nënvizoi se “Bashkëpunimi ekonomiko-tregtar ka shënuar një rritje prej 20-30 përqind vitin e kaluar dhe kjo rritje do të vazhdojë.”

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, dhe Ambasadori Zarić ranë dakord se të dy vendet duhet të ndjekim një agjendë konkrete të shkëmbimeve të ndryshme, në fusha me interes reciprok, si tregtia, turizmi, energjia, transporti etj.

Bashkëpunimi midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Parlamentit të Serbisë është rritur e zgjeruar. Këtij qëllimi i shërben edhe krijimi, kohët e fundit, i grupit të Miqësisë Serbi-Shqipëri. Ndërkohë, edhe në Kuvendin e Shqipërisë është krijuar prej kohësh Grupi i Miqësisë Shqipëri-Serbi.

Ambasadori Zarić përsëriti ftesën e Kryetares së Parlamentit të Serbisë Maja Gojković, për një vizitë zyrtare të Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, në Beograd.

SHKARKO APP