Rudina Xhunga: Na ishte një herë Irma Libohova, ylli i muzikës së lehtë
(Botuar me 7 Maj 1995 në KOHA JONE)
Rubrika “Na ishte një herë” vjen këtë të diel duke ju prezantuar një këngëtare me zë e interpretim të veçantë që, prej më shumë se një viti, i ka munguar skenës shqiptare.
Ju duket sikur po thuhet shpesh: Na ishte një herë Irma Libohova?
Edhe thonë, në fakt unë kam lënë për këto kohë Shqipërinë, skenën e festivalit, por kurrë jo këngën. Këndoj në Amerikë këngën popullore.
Ju jep kënaqësi kjo?
Po të jetë për t’u kënaqur, unë do të qëndroja në Shqipëri. Kam shkuar në mund të them për të fituar bukën e gojës.
Nuk ju duket e rëndë si fjalë?
Si fjalë e rëndë më duket, por kur shikoj këtë shtëpi dykatëshe që është ndërtuar me lekët që unë kam mundur të grumbulloj për 6-mujor pune atje sigurisht kënaqem dhe harroj largimin, mallin, mungesën e këngës së lehtë të spektatorit shqiptar etj.
Sa paguheni ju atje?
Kush e tregon rrogën është budalla. Por meqë ne shqiptarëve na pëlqen të pyesim e përgjigjemi për rrogën, po të tregoj diçka përafërsisht. Shtëpia ku unë jetoj me prindërit e mi, motrën dhe tim shoq kushtoi 60 mijë dollarë. Sidoqoftë ta lemë mënjanë anën financiare sepse dua t’i kthehem tani asaj pyetjes së parë. Për të mos qenë “na ish një herë Irma” unë po realizoj tani një kasetë.
Ndërkohë një kasetë e juaja shitet në Shqipëri.
Kam dëgjuar. Kjo bëhet pa lejen time, duke m’u vjedhur autorësia e duke i marrë paratë s’di kush. Në Amerikë unë vetë kam shitur 800 kopje të kësaj kasete, ndërsa këtu s’di kush e ka sjellë. Sidoqoftë ajo është e një niveli nuk mund të them të ulët, sepse unë nuk bie poshtë niveleve të mija, por i përshtatet gustove të komunitetit shqiptar për të cilin unë këndoj në Amerikë.
Mendoni që spektatori juaj këtu nga ai i Amerikës ndryshon?
Atje më duan, më respektojnë, më kërkojnë dhe paguajnë mirë për këngën time, por shijet e tyre janë akoma tek çiftelia. Nuk bëhet fjalë që unë të këndoj me pasion atë çka të cilës unë i përkas këngën e lehtë.
Po në Shqipëri e keni kënduar më parë këngën popullore?
Për një kohë të gjatë. Shkolla e lartë nuk më doli mbas Liceut, pasi komisioni më përcaktoi të shkurtër, kështu që unë nisa të punoj në Ansambël.
Ju mendoni se komisionet kanë ndryshuar?
Jo, jo nuk ushqej asnjë iluzion. Komisionet kanë ngelur komisione. Askurrë s’ka patur objektivitet.
Si vendosët të kuptoni që i përkisnit vetëm muzikës së lehtë?
Ndonjëherë mendoj që kam pasur fat që s’vazhdova shkollën e lartë pasi s’dihej ç’drejtim do të merrja. Të filloje punë në Ansambël atë kohë ishte ëndërr. Unë me shumë këmbëngulje pa prapaskena ja arrita. Ndërkaq …
Mendoni se arrihet pa prapaskena?
Po, me kurajë, shumë çiltërsi, shkova kërkova dicka që më dukej se më takonte. Mbaj mend që Agim Krajka dhe Çesk Zadeja qeshën shumë me mua, por në fund të fundit unë fillova punë. Ndërkohë këndoja në festivale, në estrada etj. Publiku paraqitjen time e lidhte me këngën e lehtë. “Zilen e biçikletës”, “Zilen e biçikletës”, këndo – më thoshin.
Atëherë ju…?
Unë me kohë e pata vendosur, por zgjedhjen përfundimtare e mori im shoq Besniku. Në të njëqindtën e sekondës ai gati më urdhëroi: “Ti do ikësh nga Ansambli”.
Ju e besonit pse ishte burri juaj?
Ne ishim të dashur. Unë në atë moshë më shumë se për gjithçka, më shumë se për karrierën mendoja për stabilizimin familjar. U martuam dhe prej asaj kohe kemi qenë gjithmonë bashkë. Jeta jonë ka qenë një bredhje, turne, lëvizje.
Ju pëlqen kjo mënyrë jetese?
Është bërë një e keqe e domosdoshme.
Tani që ndodheni në Shqipëri gati e ngujuar në shtëpi, si ndjeheni?
Është një tmerr.
Mezi po prisni të ikni?
Jo. Këtë s’e them. Të kem mundësi të punoj këtu duke pasur një rrogë që do të më mundësojë jetesën, do më lejonte të rrisja një tjetër fëmijë, kjo do të qe kënaqësi. Por është e pamundur.
Dëshironi shumë një fëmijë tjetër?
Shumë, po si i thonë asaj fjalës së urtë: “dua por s’më lë mamaja”. Edhe unë dua por s’kam kohë.
Jeta juaj bashkëshortore shkon gjithmonë mirë?
Po. Ajo ngelet kryesore për mua. Paqja në familje është gjithçka.
Nuk keni provuar kurrë të tradhtoni?
Uaaa, kurrë jo, jo kurrë.
Pse kaq me demaklacion?
Sepse është një ves që nuk e pranoj te vetja.
Po te bashkëshorti?
Është edhe më e tmerrshme.
Nëse (fantazojmë pak) do të ndjeheshin xheloze për një farë tërheqje të partnerit tuaj ndaj një gruaje tjetër, çfarë do të bënit?
Unë kam shumë mënyra të kulturuara për ta ritërhequr.
Pra përjashtohet poshtërsia?
Jo, jo. Vetëm me mirësi. S’thonë kot qengji i mirë pi dy nëna. Unë jam tip i vullnetshëm për të arritur gjithfarë dua, qoftë profesionalisht, qoftë edhe sentimentalisht. Por, për këtë nuk përdor hile dhe prapaskena. Këtë e urrej.
Në Amerikë ju vazhdoni në profesionin tuaj, ndërsa burri juaj është në një farë mënyrë menaxher. Kjo zgjon tek ai ndopak ndjenja inati, xhelozie ndofta, dhe tipike shqiptare?
Ai nuk është gomar, është artist.
Veç tek artistët këto janë edhe më të zhvilluara.
Unë jam e lumtur që Besniku si përherë është rrufepritësja ime. Ai merret me gjithçka, organizon takimet, koncertet, flet për pagën. Ndërkohë porsa unë të mund të krijoj një grup ku përveç Erandës do të jenë edhe tre instrumentistë, Besniku do të jetë drejtuesi i këtij grupi.
Ju ndiheni më e pjekur?
Po. Unë nuk mund të them se në Amerikë kam gjetur veten, por as s’e e kam humbur. Unë kam aktivitet, gjë që më mban në formë.
Po më e bukur ndiheni?
Unë e bukur s’kam qenë kurrë. Por njerëzit ma kanë bërë këtë kompliment , sepse siç duket ju kam pëlqyer në kompleks.
Kur ju hytë në skenën e muzikës së lehtë, numër një ishte Vaçe Zela. Ç’do të thoshit për të?
Një këngëtare e madhe. Ajo është numër një jo vetëm për faktin se qe më e mira, por ishte këngëtarja e elitës. Ajo çka më bënte përshtypje tek Vaçja, ishte fakti se nuk vinte në punë. Këndonte në koncerte qeveritare dhe një ditë më parë bënte 5 minuta prova.
Po për Parashqevi Simakun?
Unë nuk di ç’bën ajo në Amerikë. Duhet lavdëruar përpjekja e saj si grua, si njeri për të bërë diçka për veten, por artistikisht nuk ka asnjë lloj aktiviteti.
S‘paskeni simpati për të?
Nuk mund ta kanalizojmë në simpati dhe antipati. Për emrin që pati krijuar ajo këtu, duhet të vazhdonte të këndonte në mos në Shqipëri së paku për diasporën. Kam dëgjuar që këndon këngë në anglisht, që do të shkojë në Hollivud, që, po s’di ç’të them. Ëndrra kemi të gjithë.
Keni frikë mos nga ndonjë sëmundje a diçka tjetër humbisni zërin?
Jam vizituar para pak kohësh tek Nesti Bocka i cili më tha: ti do plakesh kordat jo. Ke korda të arta. Të shpresojmë më të mirën. Gjithçka ndodh po ta kërkosh.
Cilin do ta veçonit nga këngëtarët e skenës shqiptare tani?
Kur hap radion dëgjoj disa zëra të mekur, që s’di pse guxojnë të dalin në skenë.
Faji i profesionalitetit, apo i shpirtit?
Zëri është zë. Se ç’i jep ti zërit është merita jote. Vokali dallon nga një këngëtar tek tjetri. Unë do të veçoja Aleksandër Gjokën. Ka një zë të mrekullueshëm edhe pse qofsha e gabuar përdor pak maniera.
Po nga kompozitorët kë do të veçonit tani?
Ka kohë që jam larguar. Kur më kërkuan të prezantohem në Hollivud zgjodha një kompozitor të ri dhe të talentuar. Adi Hilën. Tekstin e këngës “Bulevard 95” e bëri Agim Doçi. S’di pse më vonë e quajti “Bulevard 90”.
Mbas kthimit, ju duket se diçka në institucionet tona kulturore ka ndryshuar?
Unë ika nga Estrada në një kohë kur ajo po shthurej.
Apo po emancipohej?
Jo, jo. Aty s’bëhej më art. Tani kudo gjej ndryshime. Veç në art jo. Madje nëse në art flitet për ndryshime ato janë bërë me kokë mbrapa.
Mos keni lënë shumë gjëra pa thënë?
Tani unë po pres të më pyesësh për planet e mia. Në të gjithë intervistat që kam dhënë gazetarët e kanë pasur me shumë qejf këtë pyetje.
Atëherë unë po pyes në rrugë dhe s’do të ketë ngelur njeri pa e ditur se Irma Libohova pas dy gjashtëmujorësh në Amerikë, këtë javë niset për në Zvicër. Ndërkohë s’kam ruajtur ndonjë pyetje të jashtëzakonshme.
S‘ka problem. Dhe unë nuk ruaj përgjigje të jashtëzakonshme për të të dhënë. Një intervistë, një titull, një fotografi, as ngrenë as ulin. Ajo çka vlen është ajo që ti bën, ajo që ti jep. Arti për mua është pika e vlerësimit. Dhe barometri vlerësues vetëm spektatori.
Intervistoi Rudina Xhunga