Rusia i vendos afat Ukrainës për negociatat në Bjellorusi: Keni kohë deri në orën 15:00
Edhe pse Ukraina e refuzon uljen me Rusinë për negociata në Bjellorusi, Kremlini u ka dhënë zyrtarëve ukrainas një afat kohor deri orës 15:00 ditën e sotme, me orën lokale për të vendosur nëse do të takohen për bisedime në qytetin bjellorus të Gomel.
Vladimir Medinsky, kreu i delegacionit rus, tha se do të qëndrojnë deri në kohën e caktuar dhe do të presin për një përgjigje. “Sapo të marrim këtë konfirmim, ne do të nisemi për të takuar homologët tanë në negociata. Ne qëndrojmë për paqen”.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e ka refuzuar ofertën, duke thënë se bisedimet në Minsk mund të ishin të mundshme nëse Rusia nuk do të kishte sulmuar Ukrainën nga territori bjellorus. Nga ana tjetër, ai e la të “hapur derën” për negociata në vende të tjera.
“Nëse nuk do të kishte pasur veprime agresive nga territori juaj, ne mund të bisedonim në Minsk, qytetet e tjera mund të përdoren si vend për bisedime. Sigurisht që ne duam paqe, duam të takohemi, duam që lufta të përfundojë. Varshavë, Bratislavë, Budapest, Stamboll, Baku, ua kemi ofruar rusëve. Çdo qytet tjetër do të na përshtatet gjithashtu në një vend, nga territori i të cilit nuk lëshohen raketa ndaj nesh. Vetëm kështu negociatat mund të jenë të ndershme dhe mund t’i japin fund luftës”.