“Rusia nuk do ndërpresë furnizimin me grurë të Shqipërisë”

Ambasada Ruse në Tiranë ka sqaruar sot se nuk ka asnjë masë për të ndalur furnizimin me grurë të Shqipërisë nga Rusia. Në një njoftim për mediat, Ambasada bëri të ditur se vendosja e embargos ishte për prodhimet shqiptare që shkojnë në Rusi.

“Ambasada e Federatës Ruse në Republikën e Shqipërisë është e habitur nga  publikimi kohët e fundit i materialeve të shumta në mediat shqiptare për gjoja ekzistencën e një rreziku të ndërprerjes së furnizimit të Shqipërisë me grurin rus.  Është e njohur që sipas vendimit të Qeverisë ruse Nr. 842 të dt. 13 gusht  2015 Shqipëria, bashkë me katër vende të tjera, është përfshirë në listën e miratuar  të shteteve, ndaj të cilave është vendosur ndalimi i eksporteve të prodhimeve  bujqësore në Rusi. Ky hap i ndërmarrë në bazë të parimit të reciprocitetit ka qenë

një kundërmasë e Rusisë ndaj vendeve që e kanë mbështetur vendimin e Këshillit të Bashkimit Evropian 2015/971 të dt. 22 qershor 2015 për zgjatjen e sanksioneve  të paligjshme ekonomike kundër Rusisë, lidhur me të ashtuquajturat “veprime  destabilizuese të Rusisë në Ukrainë”, dhe vendimin e Këshillit të Bashkimit Evropian 2015/959 të dt. 19 qershor 2015 për zgjatjen e sanksioneve të paligjshme ekonomike kundër Krimesë dhe Sevastopolit”,- thuhet në njoftim.

Nga ana tjetër, Ambasada “thekson edhe një herë se vendimi i lartpërmendur i Qeverisë ruse

parashikon vetëm ndalimin e importeve në Rusi të prodhimeve dhe lëndëve të para bujqësore, si edhe të ushqimeve, nga vendet që u janë bashkuar sanksioneve  antiruse. Regjimi i eksportit të mallrave ruse, përfshirë këtu edhe grurin, nuk preket  nga ky vendim. Pra, çdo shqetësim për një ndërprerje të mundshme të furnizimit të Shqipërisë me grurin rus është absolutisht i pabazë”,- thuhet në deklaratë. Sipas Ambasadës, “në rast se do të merret vendimi për bllokimin e importeve të grurit rus në  Shqipëri, mund të themi me siguri të plotë që kjo nuk do të bëhet nga Rusia”.

SHKARKO APP