Ruth Pennington Warner 15 vjet kontribute dhe ndihma për të dëbuarit nga Kosova në fshatrat rreth Kavajës

Nga Mal Berisha-
SFIDA BRITANIKE NR 35
KUNDER RICHARD HODGES
VITI 1926
RUTH PENNINGTON WARNER
15 VJET KONTRIBUTE DHE NDIHMA PËR TË DËBUARIT NGA KOSOVA NË FSHATRAT RRETH KAVAJËS
Foto e ekspozitës me punime dore të grave kosovare të vendosura në fshatrat e Shqipërisë, hapur nga Ruth Pennington në Selanik në vitin 1930 Një dyqan për shitjen e këtyre prodhimeve të dorës prej grave shqiptare nga Kosova në mërgim është hapur në atë kohë edhe në Sloane Square në Londër në fundin e viteve 20’.
Pesëmbëdhjetë vjetë në Shqipëri, Ruth Pennington punoi shumë për të vendosur të dëbuarit nga Kosova në fshatra të vogla, t’ua lehtësonte vuajtjet, të luftonte malarjen, të hapte spitale, të ndihmonte bujqësinë…
Zonja Ruth Pennington – Warner, ka qenë një zonjë britanike e cila e humbi burrin në Luftën e Parë Botërore, vetëm pak kohë pasi ishin martuar. Në vitet 1925 – 1926 ajo erdhi në Shqipëri në përgjigje të një thirrje të bërë nga Elizabeth Lady Carnarvon, e ëma e mikut të madh të shqiptarëve, Aubrey Herbert-i. Aty ajo po përpiqej të organizonte një kurs për përgatitjen e infermiereve për spitalin e Vlorës kur në të njëjtën kohë shpërtheu një krizë e madhe për shkak të shqiptarëve të dëbuar nga trojet e tyre në Kosovë. Qeveria shqiptare u gjet në kushte shumë të vështira. Ajo mundi t’u afronte atyre ngastra toke por nuk kishte lëndë të mjaftueshme ndërtimi për t’i strehuar ata.
Zonja Pennington kishte përvojën e viteteve të Luftës së Parë, 1914-1918 kur kishte ndihmuar familjet e braktisura dhe të infektuara nga tifoja në Europën Lindore. Tani ajo do të bënte diçka të ngjashme duke ndihmuar të dëbuarit shqiptarë nga Kosova. Duke bashkëpunuar me qeverinë dhe me këmbënguljen e saj, ajo arriti të gjente materiale shtesë dhe kështu u ngrit një fshat në kënetën e Lushnjës, një fshat tjetër u ngrit në pyllin e Mamurrasit. Më pas u ngrit edhe një në Fier dhe një tjetër midis Tepelenës e Gjirokastrës. Ata malësorë jo vetëm që nuk kishin asgjë për të filluar jetën, por u sulmuan edhe prej malarjes, e cila në atë kohë bënte kërdinë. Nga problemet më të mëdha të asaj kohe ishin të lehtësoheshin efektet e kësaj sëmundjeje të rëndë. Zonja Pennington do të siguronte kinina, të cilat i bënte në një apartament të vogël që ia dha asaj Instituti Paster në Durrës. Aty ajo qëndroi deri në kohën e pushtimit fashist në pranverën e vitit 1939.
Nga kaq pak mjete, por me mbështejten e Institutit Rockefeller edhe me ndihmën e miqve të saj si Mithat bej Frashëri dhe Mehmet bej Konica, zonja Pennington bëri mrekullira. Ministri britanik, Sir Robert Hodgson, i dha ndihmë të vyer. Po ashtu bënë oficerët britanikë që shërbenin në xhandarmërinë shqiptare, për të cilët zonja Pennington ishte një njeri i afërt dhe i dashur. Ajo banonte në shtëpinë e saj të vogël, ku kishte edhe klinikën mbi kodrën pranë murëve të vjetra të Durrësit dhe lëvizte me makinën e saj të vogël. Shpesh i takonte kryefamiljarët të cilët ecnin me kilometra të tëra duke pritur anës së rrugës. Ajo ju shpërndante atyre jo vetëm ilaçe, por edhe mjete për kultivimin e parcelave të tyre të vogla duke i inkurajuar familjet të prodhonin qilima dhe artikuj të tjerë që mund të shiteshin në Europë.
Në pesëmbëdhjetë vjetët që i kaloi në Shqipëri, Ruth Pennington-i punoi shumë për t’u vendosur malësorët refugjatë në bashkësi të vogla dhe t’ua lehtësontë vuajtjet.
Ajo luajti një një rol të rëndësishëm në zhvillmin shoqëror të Shqipërisë së pavarur dhe emri i saj do të mbahet mend gjatë me respekt midis shqiptarëve, ndërkohë që po aq vend nderi kanë zënë dhe Edith Durham-i, Margaret Hasluck-u dhe Elizabeth Lady Carnarvon dhe zonja e te birit Mary Herbert.
Zonja Ruth Pennington vdiq më datën 21 Janar 1970. Për fat të keq emri i saj ishte i ndaluar deri në rënien e perdes së hekurt në Shqipëri.
Proud to be Albanian!
Vijon me Owen Pearson

SHKARKO APP