Ryshfet për t’i fshirë emrin nga kërkimi policor, arrestohet shefi i krimeve

Strukturat e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në MPB, arrestuan Nën-komisar Kol Zaja, 40 vjeç, me detyrë specialist për Krimet në Komisariatin e Librazhdit.

Zaja akuzohet për veprën penale të “Korrupsionit pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan ka vendosur masën e sigurisë “srrest me burg” për 40-vjeçarin.

Arrestimi është kryer pas një hetimi të përbashkët të SHÇBA-së në bashkëpunim me Task – Forcën e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, pasi më 28 gusht 2015 në cilësinë e oficerit të policisë gjyqësore Kol Zaja, ka administruar një kallëzim penal, depozituar nga një shtetase.

Punonjësi i policisë Zaja ka kryer shpalljen në kërkim policor të shtetasit M.B., i cili kur është njohur me faktin, u paraqit në Komisariatin e Policisë Librazhd.

Specialisti i Krimeve Kol Zaja sipas hetimeve i kishte premtuar shtetasit të kallëzuar se do ta hiqte nga kërkimi policor, nuk do ta arrestonte dhe se do të ndërhynte në Prokurori për t’i mbyllur çështjen në ngarkim të tij, në këmbim të shumës prej 100.000 lekësh.

SHKARKO APP