Ryshfet policit për të mos u regjistruar në TIMS, arrestohet. Në pranga edhe 5 shoferë
Gjashtë raste të mitdhënies janë goditur nga policia gjatë orëve të fundit në disa qytete të vendit. Në pranga janë vënë 5 drejtues mjetesh në Elbasan, Berat, Gjirokastër e Pogradec, të cilët i kanë ofruar para punonjësve të policisë, me qëllim shmangien e penaliteteve.
Sakaq, një tjetër shtetas është arrestuar në pikën e kalimit kufitar në Kakavijë, pasi i ka ofruar ryshfet punonjësit të Policisë Kufitare për të mos u regjistruar në sistemin “TIMS”.
Sipas policisë së Elbasanit, në pranga është vënë 28-vjeçari Artur Papraku, i cili ka tentuar t’i jap 500 lekë punonjësit të policisë rrugore për të mos marrë masë administrative për drejtim mjeti pa targa. Ai u ndalua nga policia në aksin rrugor Elbasan-Llixhë, për arsye se ka qenë duke drejtuar në shkelje të Kodit Rrugor, mjetin bujqësor “Zetor” pa targa.
Po kështu, u arrestua edhe Arjan Bogdani, 27 vjeç, banues në Prrenjas, pasi në aksin rrugor Prrenjas-Katjel, në vendin e quajtur “Urakë” ka qenë duke drejtuar në shkelje të Kodit Rrugor mjetin tip “Benz” furgon pa targa.
Në momentin e ndalimit ky shtetas ka tentuar t’i jap 1000 lekë punonjësit të policisë rrugore me qëllim që t’i shmangej masës administrative për drejtim mjeti pa targa.
Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale mjetet dhe lekët.

