Sa apartamente ka Belinda Balluku?

Nga Mentor Kikia

Kësaj pyetjeje mund t’i përgjigjet shumëkush menjëherë, tani: Ka 300!
Sepse e ka lexuar e dëgjuar më shumë se 300 herë në media dhe konferenca shtypi të opozitës.

Sot dëgjova një raportim të gazetares Klodiana Lala mbi fillimin e një hetimi pasuror, apo shtrirjen e hetimeve edhe mbi pasurinë, për ministren e pezulluar Belinda Balluku.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Burime pranë SPAK bënë me dije se është kërkuar informacion pranë institucioneve të ndryshme, si Kadastra, ILDKPI apo bankat e nivelit të dytë…”, – tha gazetarja.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ndërsa lexova këtë fakt të ri nga hetimet, më kujtua se ne e dinim me kohë se “Belinda Balluku ka 300 apartamente”.

Askush nga ata që e publikuan apo bënë analiza duke iu referuar kësaj shifre nuk referoi ndonjë burim. Opozita citonte median dhe media citonte opozitën.

Pasuritë e patundshme gjenden vetëm në regjistrat e Kadastrës, me emrin e vet apo të fshehura pas emrave të tjerë. Dhe prokuroria i qenka drejtuar vetëm tani këtij institucioni (duke e marrë të mirëqenë këtë lajm).

Dhe pas hetimit mund të dalë se Balluku nuk ka 300 apartamente, por 1.300.
Por mund të dalë edhe se ajo ka 30, apo 3 apartamente. Nëse del kjo e dyta, pra që nuk do të jenë 300, ç’do të bëjmë ne? Do të akuzojmë Kadastrën se ka fshehur apartamentet e Ballukut, “sepse ne e dinim me kohë që ajo ka 300”?

Mos nxitoni të më akuzoni se po i qaj hallin zonjës Balluku, apo se po i “mbaj pishën” qeverisë!

Jo, jo. Këtu po i qaj hallin medias dhe gazetarisë, të cilës i kam kushtuar jetën prej vitit 1992. Të shkruash e të flasësh për 300 apartamente sikur të jenë 300 domate e speca si ato të Divjakës, është “kurajoze” nga ana profesionale.

Cili është burimi i informacionit?

Kaq është shqetësimi im, derisa mësova sot se prokuroria nuk e kishte këtë informacion deri tani. Sepse tani rezulton se për këtë lajm nuk ka pasur as “burime konfidenciale nga prokuroria”, pasi as prokuroria vetë nuk e ditka, derisa tani i ka kërkuar informacion Kadastrës.

Të tilla lajme mund ta dëmtojnë 10 herë Ballukun, por dëmtojnë 100 herë seriozitetin dhe besueshmërinë e medias.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Ftesa e Trump e shpëton Ramën nga sulmet e brendshme politike?

Ke arritur limitin e votimit.

Results

Po 3508 (72.3%)
Jo 1345 (27.7%)

Vota totale: 4853